Fillon pastrimi i lumit Lushta
Drejtoria për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë në Mirovicë, ka filluara realizimin e projektit për pastrimin e lumenjve.
Drejtori i kësaj drejtorie, Naser Muja, ka bërë me dije se i pari lum që do të pastrohet është Lushta.
Ai ka thënë se tashmë pastrimi i lumit Lushta ka filluar në pjesën në të cilën lumi është i mbyllur e që vazhdon në drejtim të lagjes Bair, në një gjatësi prej mbi 500 metrash. “Lumi Lushta nuk është pastruar asnjëherë pas lufte. Në të janë hedhur mbeturina të ndryshme, madje edhe materiale të ndryshme ndërtimore, kështu që trashësia e tyre kishte arritur prej 80 centimetra deri në një metër. Kur ka të reshura del nga shtrati i tij, andaj e pamë të arsyeshme që së pari të fillojmë me pastrimin e tij”, ka thënë Lushta.
Drejtori Muja ka thënë se për pastrimin e lumit është angazhuar kompania “Eurondërtimi”, ndërsa punët po shkojnë sipas dinamikës së paraparë. Ai ka theksuar se lumi Lushta po merr një pamje krejtësisht ndryshe.