Fillon përballja e Kosovës me Gjykatën Speciale
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për Zonën Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, dhe ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, të dielën kanë udhëtuar për në Hagë, me ftesë të Gjykatës Speciale. Para nisjes ata kanë deklaruar se nuk e dinë nëse do të intervistohen si dëshmitarë apo si të dyshuar më 14, përkatësisht më 16 janar. Të dy ish-gjeneralët e UÇK-së kanë thënë se i kanë pritur këto ftesa nga Specialja. “Nuk e di në çfarë cilësie do të intervistohem, por pres të di kur të shkoj më 16 janar. E kam pritur ftesën dhe do të më kishte ardhur keq nëse nuk më kishin thirrur”, ka thënë Sami Lushtaku para medieve në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Kurse Rrustem Mustafa ka thënë se po shkon në Hagë për t’iu përgjigjur drejtësisë. “Jam duke iu përgjigjur thirrjes nga Gjykata Speciale për pretendimet e Dick Martyt. Unë po shkoj në cilësinë e të intervistuarit, normalisht jam dëshmitar i dyshuar dhe do të më mbrojë një avokat vendor. Unë do të shkoj t’i përgjigjem drejtësisë”, ka thënë Mustafa para nisje në aeroport. Ai ka deklaruar se ndihet plotësisht i pafajshëm dhe se ftesën nga Specialja e ka parë si diçka normale. “Ftesat janë shumë normale pas gjithë propagandës dhe raportit të Dick Martyt. Duhet të mbyllet një pretendim i hapur”, është shprehur Mustafa i njohur si Remi.
As Arianit Koci, avokat i Lushtakut dhe Mustafës, nuk ka mundur të tregojë se në çfarë cilësie klientët e tij po shkojnë në Hagë. Ai ka thënë se mirë po shkojnë dhe mirë do të kthehen në Kosovë. “Mirë po shkojmë dhe mirë do të kthehemi. Z. Lushtaku fluturoi tash dhe do të intervistohet më 16 janar. Ai këtë kohë e ka shfrytëzuar për të vizituar disa familjarë, ndërsa z. Mustafa do të intervistohet më 14 janar. Data për z. Lushtaku është shtyrë sepse të dy e kanë pasur të njëjtin avokat dhe është dashur të koordinohet koha”, ka deklaruar Koci.
Pas nisjes së dy ish-komandantëve të UÇK-së ka pasur reagime nga institucionet qendrore të Kosovës. Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe në drejtësi.
“Shkuarja për intervistim e gjeneralëve të UÇK-së, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, eprorëve dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, dëshmon edhe një herë fisnikërinë dhe drejtësinë e luftës së popullit të Kosovës dhe UÇK-së. Si bashkëluftëtar i juaji dhe president i vendit, kam besim të plotë në vlerat sublime për të cilat kemi luftuar. Bashkërisht i fituam shumë beteja, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Bashkërisht me krenari do t’i fitojmë edhe sfidat e radhës. Shembulli juaj për t’iu përgjigjur ftesës së Dhomave të Specializuara dëshmon më së miri se luftëtarët e lirisë së Kosovës nuk i lëkund asnjë lloj pretendimi stigmatizues”, ka shkruar Thaçi në profilin e vet në “Facebook”, duke shtuar se çdokush që ftohet nga Specialja duhet të përgjigjet pozitivisht. “Të gjithë të ftuarit e tjerë për intervistim edhe një herë i ftoj t’u përgjigjen pozitivisht ftesave nga Dhomat e Specializuara. Në kohën e kanosjes ekzistenciale, ju, me guximin dhe dijen tuaj, të pamundurën e bëtë të mundur, ëndrrën realitet. Ju jeni heronjtë kombëtarë të luftës, prandaj të tillë do të mbeteni gjithmonë për institucionet dhe popullin e Kosovës”, është shprehur presidenti Thaçi.
Edhe kryetari i Kuvendit dhe kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se ish-pjesëtarët e UÇK-së do të dalin faqebardhë nga sfida e Gjykatës Speciale. “Ka veç një të vërtetë për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: luftë e drejtë në qëllim dhe veprime. Prandaj, nga sfida e Gjykatës Speciale do të dalim faqebardhë. Kjo e vërtetë, kjo luftë e shenjtë, do të mbrohet edhe nga miqtë e mi, bashkëluftëtarët, Samiu dhe Remi, por edhe nga cilido pjesëtar i UÇK-së që do të kërkohet!”, ka shkruar Veseli në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ndërsa kryeministri Ramush Haradinaj i ka takuar personalisht para nisjes për në Hagë Lushtakun dhe Mustafën. “Sot kam vizituar dy komandantët e UÇK-së, Sami Lushtakun dhe Rrustem Mustafën. Se lufta jonë çlirimtare ishte e pastër dhe e shenjtë do të dëshmohet fuqishëm gjithnjë e kurdoherë. Së bashku do të dalim faqebardhë edhe në këtë sfidë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e vet në “Facebook”.
Kurse kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK), Hysni Gucati, ka thënë se gati dy dekada pas lufte që padrejtësisht është duke vazhduar torturimi i ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga gjykatat ndërkombëtare. “Edhe këtë radhë, si gjithmonë që keni dalë faqebardhë, përsëri do të dilni me kokën lart dhe do ta dëshmoni pafajësinë tuaj. Torturat dhe mohimi i lirisë po vazhdon edhe sot pas kaq vitesh që larguam armikun nga vendi ynë. E gjitha çfarë bëmë ishte t’i mbrojmë tokat dhe kufijtë tanë, të luftojmë për lirinë e popullit tonë e sot bashkëluftëtarët tanë gjykohen. Gjykohen pse luftuan për t’i mbrojtur të drejtat e popullit për të qenë të lirë dhe të pavarur”, ka shkruar Gucati në profilin e vet në “Facebook”.
Ish-komandantët e UÇK-së deri në aeroport janë përcjell nga shumë familjarë, kurse Lushtakun e kanë përcjellë edhe dy deputetë të Kuvendit të Kosovës, Ganimete Musliu dhe Milaim Zeka. Ky i fundit ka thënë se do të udhëtojë bashkë me Sami Lushtakun drejt Hagës. “Ka qenë dëshira ime për ta shoqëruar Mërgimin që e kam koleg. Në Hagë do të udhëtoj bashkë me të dhe do të kthehemi bashkë. Besoj në pastërtinë e luftës së Sami Lushtakut. Nuk ka asnjë dëshmi që mund ta implikojë në një krim”, ka thënë Milaim Zeka.
Përveç Lushtakut dhe Mustafës, ftesa për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë kanë marrë edhe Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti, Rajmonda Rreci, Safet Syla, Sabahajdin Cena dhe Remzi Shala. Ky i fundit ka deklaruar se nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për t’u intervistuar ngaqë nuk i beson Gjykatës Speciale.
Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015 dhe krijimi i saj ka ardhur pas publikimit të raportit të Dick Martyt, i cili më pas është votuar në Këshillin e Evropës në vitin 2011, në të cilin thuhet se ka prova të mjaftueshme për t’i hetuar krimet që supozohet se i kanë kryer ish-pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve dhe disa shqiptarëve të dyshuar për bashkëpunim me regjimin e Beogradit gjatë luftës.
Bekim Jashari: Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka reaguar pas nisjes për në Hagë të dy ish-komandantëve të UÇK-së, Sami Lushtaku dhe Rrustem Mustafa. Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se gjithmonë do të jetë në mbështetje të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sa herë që është folur dhe shkruar, është dëshmuar se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e shenjtë për popullin shqiptar, ka qenë e drejtë. Edhe gjykimet kanë nxjerrë pastërtinë e luftës së drejtë të popullit shqiptar. Në çfarëdo aspekti që gjykohet lufta e shenjtë për lirinë e popullit tonë të vuajtur me shekuj, nga pushtuesi më barbar që ka njohur historia e njerëzimit, secili luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa asnjë mëdyshje, do ta ketë mbështetjen time dhe të mbarë popullit shqiptar”, ka thënë Jashari, duke shtuar se si çdo sfidë tjetër që është tejkaluar, edhe kjo do të tejkalohet si në rastin e gjeneralëve Sami Lushtaku e Rrustem Mustafa dhe të tjerëve. “Ushtria Çlirimtare e Kosovës është krenaria jonë”, ka thënë kryetari Bekim Jashari.
PDK-ja: E vërteta do të triumfojë edhe një herë në Hagë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nëpërmjet një deklarate për medie ka vlerësuar se Gjykata Speciale është beteja e radhës që do ta fitojë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. “E vërteta do të triumfojë edhe një herë në Hagë siç ka ndodhur në të kaluarën. Dhe e vërteta e vetme e luftës sonë është mbrojtja e popullit, lufta për liri dhe drejtësi kundër një pushteti vrastar të Serbisë. Gjykata Speciale është një e re e zezë mbi Kosovën, por është e përkohshme dhe beteja e radhës që do ta fitojë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, është thënë në këtë deklaratë.
PDK-ja beson përjetësisht në kauzën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në njerëzit e saj të cilët ishin të gatshëm të japin gjithçka nga vetja për lirinë e popullit dhe për shtetin e Kosovës. “Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa dhe kryetari i Degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, edhe sot iu përgjigjen ftesave të drejtësisë për të dëshmuar mbi luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se ky veprim është edhe një dëshmi më shumë për gatishmërinë e secilit pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’iu përgjigjur çdo pretendimi nga kudo që e ka burimin”, është theksuar më tutje në deklaratën e kësaj partie.
Partia Demokratike e Kosovës do të jetë gjithmonë përkrah vlerave të UÇK-së, pjesëtarëve të saj dhe përherë e gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë. “Lufta e UÇK-së është e shenjtë, shteti i Kosovës është i shenjtë, e ardhmja e fëmijëve tanë është e shenjtë”, është thënë në deklaratën për medie të PDK-së.
Muhamet KOCI