Fillon procesi i deklarimit të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë

02 mars 2020 | 12:16

Në pajtim me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave, më 1 mars 2020, ka filluar procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, ku të gjithë zyrtarët e lartë publikë janë të obliguar ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre në Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Me këtë rast, Agjencia kundër Korrupsion ka dërguar njoftimin tek të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës (zyrtarët kontaktues për deklarimin e pasurisë) që të bëjnë deklarimin e pasurisë sipas afateve kohore të përcaktuara me Ligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave nga data 1 deri më 31 mars 2020.

Drejtori i Agjencisë kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, ka shprehur zotimin se gjatë procesit të deklarimit të pasurisë Agjencia kundër Korrupsionit, do të jetë në shërbim të të gjitha subjekteve deklaruese për të ofruar të gjitha informatat e nevojshme për zyrtarët publikë në mënyrë që procesi i deklarimit të pasurisë të përfundoj me sukses, gjithnjë duke respektuar obligimet e përcaktuara me ligj.

Deklarimit të rregullt vjetor i pasurisë janë të obliguar t’i nënshtrohen të gjithë zyrtarët e lartë publikë, me përjashtim të atyre që kanë deklaruar pasurinë me rastin e marrjes së detyrës pas datës 1 janar të këtij viti.

Në njoftimin dërguar në Institucionet publike, Agjencia Kundër Korrupsion ka rikujtuar gjithashtu se mosdeklarimi i rregullt i pasurisë nga zyrtarët publikë dhe mosrespektimi i ligjit nr. 04/L-050, si dhe ligjit nr. 04/L-228 për deklarimin e pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publikë, Agjencia kundër Korrupsionit do të paraqesë kallëzim penal në pajtim me nenin 437 të Kodit Penal.

Për informata më të detajuara rreth subjekteve deklaruese dhe listës e zyrtarëve të cilët janë të obliguar ta bëjnë për deklarimin e pasurisë, mund ta vizitojnë uebfaqen zyrtare të AKK-së.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nga Kuvendi ka folur për…