Fillon programi për vizita në shtëpi “Kujdesi për nëna dhe fëmijë”
Në komunën e Mitrovicës ka filluar zbatimi i programit të vizitave shëndetësore në shtëpi për kujdesin e nënës dhe fëmijës, program ky i realizuar nga Departamenti për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe me përkrahjen e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.
Me këtë rast, nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, ka vizituar Qendrën e Mjekësisë Familjarë te Ura e Gjakut në Mitrovicë.
Qëllimi i vizitës ishte diskutimi lidhur me implementimin e projektit të vizitave shëndetësore në shtëpi për kujdesin e nënës dhe fëmijës.
Drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Mitrovicë, Vllaznim Hoti, ka bërë me dije se qëllimi i këtyre vizitave në shtëpi për kujdesin e nënave dhe fëmijëve është për të ofruar qasje për të gjithë dhe për të mbrojtur e përmirësuar gjendjen shëndetësore të nënës dhe fëmijës.
Ndërsa nënkryetari i komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, ka thënë se implementimi i këtij projekti tregon për kujdesin që komuna e Mitrovicës, Ministria e Shëndetësisë së bashku me UNICEF-in është duke i kushtuar shëndetit të nënave dhe fëmijëve. “Qëllimi i këtyre vizitave shtëpiake të përkujdesit të shëndetit të nënës dhe fëmijës është që të bëhet plotësimi i nevojave të çdo individi, veçanërisht të grave, fëmijëve, duke ofruar shërbime cilësore”, ka thënë Mujka.
Po ashtu edhe zëvendësshefi i Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju, ka thënë se është shumë i lumtur që programi i vizitave shtëpiake po realizohet edhe në komunën e Mitrovicës.