Fillon puna për jetësimin e ligës Kosovë-Shqipëri
Sot nëpërmjet një videokonference është mbajtur takimi i parë i ekipeve teknike të Federatës së Basketbollit të Kosovës (FBK) dhe Federatës Shqiptare të Basketbollit (FSHB), të cilat do të punojnë në përgatitjet e dokumenteve dhe akteve normative të ligës së përbashkët.
Në këtë takim morën pjesë edhe Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu dhe kryetari i FSHB-së, Avni Ponari.
Ekipet teknike do të udhëhiqen nga Sekretarët e Përgjithshëm të të dyja Federatave, derisa i gjithë procesi i përgatitjes së dokumenteve do të përfundojë deri në javën e dytë të muajit qershor, kur edhe pritet të nënshkruhet marrëveshja ndërmjet të dyja Federatave për themelimin e ligës së përbashkët.
Arben Fetahu, kryetar i FBK-së: “Ideja e kamotshme e themelimit të një lige të përbashkët të basketbollit mes Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe Federatës së Basketbollit të Kosovës do të realizohet nga edicioni garues 2020-2021. Marrëveshja e bashkëpunimit dhe financimit të Ligës Kombëtare në Basketboll do të formalizohet mes FSHB-së dhe FBK-së gjatë muajit qershor 2020, për një periudhë 4-vjeçare me mundësi vazhdimi.
Qëllimi i Ligës do të jetë ofrimi i një mjedisi konkurrues ndërkombëtar për ekipet e shteteve pjesëmarrëse, nxitja e konkurrencës mes klubeve dhe sigurimi i ndeshjeve ndërkombëtare dhe hapësirës në parket për lojtarët vendorë. FBK dhe FSHB do të delegojnë nga katër ekipe për pjesëmarrje në Ligë. Për edicionin garues 2020-2021 do të vendoset sistemi i garave me vajtje-ardhje, me 14 xhiro të rregullta, në të cilat secili ekip me secilin luan së paku dy ndeshje. Liga do të mbikëqyret nga Bordi Drejtues i Ligës, në të cilin federatat pjesëmarrëse i delegojnë nga 2 përfaqësues, ndërsa përfaqësuesit e federatave në këtë bord e emërojnë unanimisht anëtarin e pavarur të bordit i cili do të shërbejë edhe si Kryetar i Bordit të Ligës”.