Fillon punën komisioni për vlerësimin e ndikimit në ekonomi gjatë pandemisë në Malishevë
Komisioni i Komunës së Malishevës për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara në ekonominë e kësaj komune gjatë kohës së pandemisë, ka filluar punën e tij dhe së shpejti do fillojë edhe me vlerësimin e dëmit, apo ndikimit të pandemisë në ekonominë malishevase.
Kryetari i këtij komisioni, Adem Mazreku, ka njoftuar anëtarët e komisionit me detyrat që kanë, si dhe ka bërë me dije se brenda pak ditësh do të plasohet edhe një pyetësor online, ku të gjitha bizneset e komunës së Malishevës, do të mund t’i paraqesin të dhënat e bizneseve dhe ndikimi në punën e tyre gjatë kohës së kufizimit të punës së tyre dhe në tërësi për ndikimin e pandemisë.
Po ashtu, përmes organeve komunale, të gjitha bizneset do të njoftohen për pyetësorin, si dhe për punën e komisionit, përmes së cilit synohet të vlerësohet ndikimi i pandemisë në ekonominë e komunës së Malishevës. (L.G/ Epoka e re)