Fillon realizimi i analizave biokimike në QMF në Gjonaj
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me drejtoreshën e Drejtorisë së Shëndetësisë, Narqize Arënliu-Hoxhaj dhe drejtorin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, Xhevat Elezkurtaj, ka bërë përurimin e laboratorit të analizave në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Gjonaj.
Duke theksuar se tanimë banorët e këtij fshati, por edhe e gjithë rajonit të Hasit mund të marrin shërbime laboratorike pa pasur nevojë që të vijnë në qytet, kryetari Haskuka ka thënë se tanimë në këtë QMF mund të kryhen pothuajse të gjitha analizat biokimike që realizohen në QKMF në Prizren.
Duke rikujtuar se QMF-ja në Gjonaj është përuruar në muajin shtator të vitit të kaluar, Haskuka ka shtuar se tanimë banorët e këtij rajoni po marrin shërbime cilësore në infrastrukturë moderne dhe theksoi se Komuna e Prizrenit është komunë e reformave shëndetësore.
Në anën tjetër, drejtoresha Arënliu Hoxhaj ka bërë me dije se ky laborator është i pajisur me të gjitha pajisjet e nevojshme dhe ka shtuar se këto shërbime do të ofrohen nga stafi i specializuar për kryerjen e analizave laboratorike.
Ajo po ashtu ka njoftuar se ky laborator do të punojë dy herë në javë, të martën dhe të enjten.