Fillon rënia e çmimit të naftës
Çmimi i naftës për disa ditë me radhë është duke shënuar rënie në tregun botëror. Rëni të çmimit të naftës ka edhe në Kosovë.
Kryetari i Shoqatës i Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë për “Telegraf”-in se zbritja do të ndodhë para vitit të ri. “Sa i përket çmimit të naftës, është fakt që e përcaktojnë bursa botërore dhe organizata prodhuese OPEC.
Çmimet kanë filluar ta kenë një rënie të lehtë, kështu që edhe në Kosovë është duke u reflektuar”, ka thënë Berjani.
Sipas tij, një litër naftë në Kosovë po tregtohet me 1.16 euro deri 1.20 euro, kurse e benzinës me 1.20 euro deri 1.30 euro.
“Sot në Kosovë një litër naftë kushton prej 1.16 euro centë deri 1.20 euro centë, ndërsa një litër benzinë tregtohet 1.20 euro centë deri 1.30 euro centë. Pra, një ulje e lehtë e çmimit ka filluar edhe në Kosovë. Ky është një sinjal i mirë se zbritja do të ndodhë para vitit të ri, e jo ashtu siç ishte paralajmëruar nga OPEC, pas këtij viti”, ka deklaruar ai.
Në tregjet botërore nafta WTI po tregtohet 67.95 dollarë, ndërsa Brenti britanik po shitet 71.05 dollarë.