Fillon riparimi i lapidarëve të dëshmorëve në Astrazup, Dragobil dhe Balincë
Të enjten kanë filluar punimet për riparimin e lapidarëve të dëshmorëve të kombit në Astrazup, Dragobil dhe Balincë, të Malishevës. Këto punime i kanë inspektuar drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Ahmet Morina, kryetari i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, Dega në Malishevë, Metush Kryeziu me bashkëluftëtarët, Nuhi Shala dhe Sejdi Paçarizi.
Me këtë rast, drejtori Morina ka thënë se e kanë obligim kombëtar që të përkujdesën për t’i ruajtur vlerat e luftës çlirimtare. “Institucionet e Komunës së Malishevës dhe shoqatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës-Dega në Malishevë në prag të festave të nëntorit e kanë në prioritet riparimin e lapidarëve të dëshmorëve në territorin e Malishevës dhe obligim kombëtar e historik për këto shenja të kujtesës sonë kombëtare që me jetën dhe gjakun e tyre dhe të bashkëluftëtarëve Kosovës ia sollën lirinë”, ka thënë Morina.
Në vazhdën e punimeve do të riparohen edhe lapidarë e memoriale tjera të luftës së UÇK-së në hapësirën territoriale të Komunës së Malishevës dhe institucionalisht do të përkujdesem për këto vlera kombëtare, që brezat e rinj të njihen e mësojnë për sakrificën e tyre që dhanë për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.