Fillon riparimi i ndriçimit publik në Prizren
Drejtoria e Shërbimeve Publike (DShP) ka njoftuar se pas një periudhe të stërzgjatur dyvjeçare të procedurave të prokurimit, që nga fillimi i muajit mars, ka filluar riparimi, montimi dhe ndërrimi i trupave ndriçues në komunën e Prizrenit.
Rregullimi i ndriçimit publik, së pari ka filluar nga lagjet që përfshijnë zonën brenda qytetit, siç janë lagjet Bajram Curri, Jeta e Re, Arbana, Dardania dhe Petrova, për të vazhduar më pas në të gjitha fshatrat e komunës së Prizrenit.
Drejtoria e Shërbimeve Publike ka njoftuar se gjatë kësaj periudhe dyvjeçare janë shfaqur edhe raste, ku ndriçimi publik është dëmtuar qëllimisht nga personat e papërgjegjshëm, ku dhe iu bën thirrje qytetarëve që ta denoncojnë çdo dëmtim të pronës publike.
Duke i falënderuar qytetarët për durimin dhe mirëkuptimin e treguar, DShP-ja ka bërë me dije se do të vazhdojë të realizojë edhe projekte të tjera në drejtim të rregullimit dhe instalimit të ndriçimit publik në komunën e Prizrenit.