Fillon rregullimi i rrugës në fshatin Bardh të Malishevës
Në kuadër të realizimit të projekteve kapitale në Komunën e Malishevës, për vitin 2019 dhe në kuadër të rregullimit të infrastrukturës rrugore në të gjitha vendbanimet, në fshatin Bardh ka filluar hapja dhe rregullimi edhe i rreth dy kilometrave rrugë, ku përfshihen rruga për në shkollën dhe rrugët në disa lagje të fshatit.
Fillimin e punimeve në rrugët e fshatit Bardh e ka parë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili është takuar edhe me banorët e fshatit dhe i ka uruar për rregullimin e rrugëve.
“Ne jemi duke i realizuar të gjitha planifikimet për këtë vit dhe në kuadër të këtyre planifikimeve janë rreth dy kilometra rrugë në fshatin e juaj, por mbi të gjitha është duke u rregulluar edhe rruga e shkollës, e cila pritet të hapet nga java e ardhshme”, ka thënë Berisha, duke shtruar se përmes projekteve konkrete janë duke u munduar që ta lehtësojmë jetesën e malishevasve.
Ndërsa banorët e fshatit Bardh janë shprehur të kënaqur me fillimin e punimeve në rrugët e tyre, pasi lëvizja me automjete është mjaft e vështirësuar, sidomos kur fillojnë shirat dhe bora, për shkak të konfiguracionit të terrenit në fshatin e tyre.
/Epoka e re/