Fillon rregullimi i rrugës dhe rrethojës së oborrit në QMF të Llazicës
Në kuadër të investimeve në rregullimin e infrastrukturës përcjellëse në fushën e shëndetësisë, të enjten ka filluar realizimi i projektit për hapjen dhe rregullimin e rrugës për Qendrën e Mjekësisë Familjare (QMF) në fshatin Llazicë të komunës së Malishevës.
Në kuadër të këtij projekti do të rregullohet edhe rrethoja e oborrit të këtij objekti shëndetësor. Në fillimin e punimeve kanë marrë pjesë edhe kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, dhe drejtori i Urbanizmit, Islam Vrenezi.
Me këtë rast, Begaj ka thënë se rruga e re në Qendrën e Mjekësisë Familjare do të jetë në shërbim të banorëve të fshatit Llazicë.
“Kjo qendër e mjekësisë ka rëndësi të madhe për fshatin Llazicë dhe fshatrat përreth, dhe pavarësisht objektit dhe kushteve të mira që janë, rruga ka qenë problemi kryesor. Prandaj sot po e hapim këtë rrugë, e cila do të jetë tërësisht në shërbim të QMF-së dhe banorëve të kësaj ane, të cilët kanë nevojë për shërbimet shëndetësore”, ka thënë Begaj.