Fillon stinori evropian, Kastrioti luan në Bosnjë
Kastrioti i Ferizajt hap stinorin evropian për skuadrat e hendbollit. Hendbollistët e Kastriotit në kuadër të raundit të parë të Kupës Evropiane (EHF European Cup) luajnë me skuadrën nga Bosnjë-Hercegovina, Graçanica.
Për shkak të punimeve në palestrën në Ferizaj, të dy ndeshjet do të luhen në Bosnjë-Hercegovinë, përkatësisht në qytetin Graçanica, në afërsi të Tuzllës. Ndeshja e parë është të shtunën prej orës 18:00, ndërsa e dyta të dielën prej orës 18:00.
Ferizajasit kanë udhëtuar me synime të mëdha për në Bosnjë. Në skuadër kanë ardhur lojtarë të rinj, përgatitjet kanë nisur me kohë dhe puna që po bëhet është serioze. Kastrioti ka shprehur pretendime të mëdha për këtë edicion, ndërsa ndeshjet me skuadrën e suksesshme boshnjake do të jenë matës i mirë për nivelin e ferizajasve. Priten dy ndeshje të forta dhe cilësorë të Kastriotit, që në garat evropiane kthehet pas tri vjetësh.