Fillon takimi i procesit të Brdo-Brijunit në Tiranë
Liderët e Ballkanit Perëndimor janë mbledhur në Tiranë për procesin e Brdo-Brijunit. Përveç presidentëve të shteteve, të ftuar nderi janë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, me prezencë të shefes për politikë të jashtme, Federica Mogherini.
Mëngjesin e së enjtes delegacionet kanë arritur në hotelin ku do të mbahet samiti, që nikoqir sivjet është presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Përveç Metës, mysafirët janë pritur edhe nga themeluesit e kësaj nisme, presidentja kroate Kolinda Grabar Kitarovic, dhe presidenti slloven Borut Pahor.
Aty kanë shtrënguar duart dhe kanë realizuar fotografitë ceremoniale. Tani pritet që të mbahet mbledhja plenare që do të modelohet nga themeluesit e nismës, ndërkohë Meta do të ketë fjalimin e inaugurimit.
Gjithashtu, fjali dhe diskutime do të ketë edhe nga të ftuarit. Kujtojmë se Brdo-Brijuni është nismë rajonale e bashkëthemeluar nga presidenti i Sllovenisë dhe Kroacisë në vitin 2010.
Liderët kanë arritur dje në Tiranë, ku edhe janë zhvilluar takime të mbyllura. Në Tiranë është edhe shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, si e ftuar nderi në samit, e cila po përpiqet të ulë në një tavolinë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë me qëllim të arritjes së një marrëveshjes finale.
Të mërkurën mbrëma Mogherini ka zhvilluar takim me kryeministrin Edi Rama, por pastaj edhe me presidentin e Kosovë, Hashim Thaçi, ku sipas Presidencës, aty është biseduar për perspektivën evropiane të Kosovës dhe për dialogun Kosovë-Serbi