Kina nis provat klinike për vaksinën eksperimentale kundër COVID-19

17 mars 2020 | 17:00

Kina ka lejuar testimin e një vaksine eksperimentale kundër COVID-19 mbi njerëz, teksa i gjithë planeti vazhdon luftën kundër coronavirusit që ka shkaktuar më shumë se 7000 të vdekur.

Shkencëtarët nga “Akademia Ushtarake Kineze e Shkencave Mjekësore”, një institucion i “Ushtrisë Popullore të Kinës”, ka marrë leje nga qeveria për të nisur eksperimentet e para të vaksinës, sipas televizionit shtetëror kinez “CCTV”.

Po ashtu, “Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Infektive dhe Alergjive” në SHBA ka nisur të eksperimentojë me një vaksinë, në bashkëpunim me firmën amerikane “Moderna”.

Eksperimenti që do të bëhet nga institucioni shkencor i ushtrisë kineze do të kërkojë 108 njerëz të shëndetshëm që do të injektohen me vaksinën nga 16 marsi deri më 31 dhjetor 2021.

Eksperimenti do të kryhet si bashkëpunim midis Akademisë Ushtarake Kineze të Shkencave Mjekësore dhe firmës nga Hong Kongu, “CanSino Biologics”.

Ekspertët nga “Organizata Botërore e Shëndetësisë” thanë se do të duhet të presin të paktën deri në mes të vitit 2021 para se ta shohin vaksinën në treg.

BE, ndërkohë, ka ofruar miliona euro investime mbi një kompani gjermane, “CureVac”, që po punon me vaksinën, ndërkohë që janë hapur fjalë se qeveria amerikane është përpjekur ta blejë këtë kompani.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ish ministrja e mbrojtjes së Gjermanisë, tha se janë krenarë që në BE kanë një kompani si “CureVac”.

“Shtëpia e tyre është këtu”, tha ajo pas fjalëve se presidenti Trump i kishte ofruar kompanisë 1 miliardë dollarë për t’i blerë në Amerikë. “Shtëpia e tyre është këtu, por nga vaksina do të përfitojnë të gjithë, përtej Europës”.

Teksa përpjekjet për vaksinën vazhdojnë, bota mbahet ende e mbërthyer nga coronavirusi dhe çdo shtet sa vjen dhe i shtrëngon masat mbrojtëse.

Deri tani janë verifikuar 182.000 të infektuar në të gjithë botën, dhe 7155 të vdekur.

Numri i të vdekurve në Itali është 2158, duke e renditur të parën për sa i përket raportit vdekje/të infektuar.

Në fakt, për çdo 1000 të infektuar, në Itali kanë gjetur vdekjen mesatarisht 71 prej tyre. Në Iran 56.9, në Kinë 39.73, në Spanjë 33.77, në Francë 23.42, në SHBA 18.15, në Korenë e Jugut 9.11, në Zvicër 6.76 dhe në Gjermani 2.09.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) bëri thirrje që të bëhen sa më shumë teste, në mënyrë që të ndalohet ritmi i infektimeve.

“Nuk luftohet zjarri me sytë mbyllur”, tha drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom,/Euronews/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Vushtrri sot është ndaluar një tregtar i cili po…