Fillon vaksinimi i nxënësve në Skenderaj
Me qëllim të parandalimit të sëmundjeve të caktuara ngjitëse, në Komunën e Skenderajt, ditë më parë ka filluar vaksinimi i nënësve të klasave të 2-ta dhe të 7-ta, të shkollave fillore të Skenderajt, dhe ky proces pritet të përfundoj brenda javës se ardhshme.
Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka apeluar të gjithë prindërit të cilët për arsye të ndryshme nuk kanë bërë vaksinimin për fëmijët e tyre me vaksinën kundër fruthit apo sëmundjeve të tjera, të lajmërohen në QKMF, për ta përfunduar këtë proces të domosdoshëm.
Kryetari Jashari po ashtu bëri të ditur se Komuna e Skenderajt edhe gjatë kohës së pandemisë, nuk e ka lënë anash vaksinimin e fëmijëve duke krijuar orare të caktuara, për të gjitha bashkësitë lokale, me qëllim të mos krijimit të turmave të cilat rritin mundësinë e infektimit me virusin Covid-19.
Sipas të dhënave që janë kumtuar nga Shërbimi i Shëndetit Publik, Komuna e Skenderajt, përkatësisht, QKMF-Skenderaj, me përfshirjen e fëmijëve në vaksinim e tejkalon shifrën e 95 për qind, ku kjo ka rezultuar që Skenderaj të jetë një nder komunat me përqindje me të lartë të vaksinimit të fëmijëve në Kosovë.
(Q.R / Epoka e re)