Fillon vendosja e kamerave të sigurisë në Podujevë
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës është informuar për gjendjen e sigurisë në këtë komunë, sigurinë në shkolla dhe dinamikën e realizimit të projektit për vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet.
Në mbledhjen e këtij këshilli, e cila është kryesuar nga nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, është shqyrtuar edhe raporti i Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe FSK-së për gjendjen e sigurisë në këtë komunë.
Komandanti i stacionit policor në Podujevë, kapiten Bekim Zogiani, ka thënë se gjendja e sigurisë në komunë është e qetë dhe stabile.
Ai ka theksuar se policia është fokusuar në shtimin e aktiviteteve në parandalimin e aksidenteve dhe krijimin e sigurisë në komunikacion.
Gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës e kanë vlerësuar të qetë dhe stabile edhe përfaqësuesit e KFOR-it dhe FSK-së.
Ndërsa në lidhje me projektin e vendosjes së kamerave të sigurisë që është duke u realizuar në bashkëpunim edhe me stacionin policor të Kosovës, drejtori i Drejtorisë së Administratës, Gëzim Namani, ka bërë me dije se tashmë kanë përfunduar të gjitha procedurat e tenderimit dhe operatori i përzgjedhur ka filluar me vendosjen e kamerave të sigurisë në qytet.
/Epoka e re/