Fillon zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugës Zhur-Dragash-Brod
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Pal Lekaj, të premten mori pjesë në fillimin e punimeve në rehabilitimin dhe zgjerimin e rrugës Zhur-Dragash-Brod.
Sipas një njoftimi për medie nga Ministri e Infrastrukturës dhe Transportit, ministri Lekaj, ka deklaruar se rehabilitimi dhe zgjerimi i dy segmenteve rrugore që lidhin Zhurin me Dragashin e Brodin, kanë ndikim në lëvizjen e lirë, zhvillim ekonomik dhe sigurojnë mirëqenie më të mirë për qytetarët e kësaj ane.
Ai ka shtuar se ndjehet mirë që po fillon një ndryshim më se të nevojshëm, i cili nuk arriti të realizohet për 60 vite me radhë, përkundër nevojës së madhe.
Bëhet e ditur se segmenti rrugor R222, Tyrbe e Pllavës – Zaplluzhë, ka gjatësi mbi 12.1 kilometra, kurse ajo R114, Dragash – Brod, ka gjatësi mbi 11.6 kilometra.
Të dyja këto projekte janë investim i MIT dhe vlera e tyre është mbi 7 milionë e 100 mijë euro.
/Epoka e Re/