Filloristët vizituan Gjykatën për Ditën e Kushtetutës
Nxënës të shkollave fillore nga qytete të ndryshme të Republikës së Kosovës kanë vizituar të hënën Gjykatën Kushtetuese, me rastin e shënimit të 11-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës, e miratuar më 9 prill 2008.
Ata u pritën në takim nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, e cila pasi që u shprehi mirëseardhjen, i njoftoi në pika të shkurtra me funksionin dhe rolin me rëndësi që ka Gjykata Kushtetuese për sundimin e ligjit në vend, si dhe për mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive të njeriut sipas standardeve evropiane.
Kryetarja Rama-Hajrizi në vazhdim i njoftoi filloristët edhe me strukturën organizative të Gjykatës dhe përbërjen e saj, me procesin e zgjedhjes dhe mandatin e gjyqtarëve kushtetues, si dhe me procedurat e shqyrtimit të kërkesave të parashtruara.
Vizita e nxënësve u realizua nën organizimin e përbashkët të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të Programit për Transformim të Lidershipit (TLP) të Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).
/Epoka e re/