Filluan punimet në rrugën Rahovec-Hamoc-Fortesë
Zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Rexhep Kadriu, të enjten mori pjesë në fillimin e punimeve të rrugës Rahovec-Hamoc-Fortesë, investim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.
Zëvendësministri Rexhep Kadriu ka thënë e edhe ky investim dëshmon përkushtimin e qeverisë, në këtë rast të MIT-së dhe ministrit Pal Lekaj, për ndërtimin e rrugëve që ndikojnë në zhvillimin ekonomik dhe lehtësimin e qarkullimit të qytetarëve anë e kënd vendit.
Ai ka shtuar se MIT-ja po investon në tërë Kosovën pa dallim.
Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka shprehur falënderimin për përkushtimin e MIT-së që kjo rrugë të ndërtohet, në mënyrë që t’i shërbejë zhvillimit të komunës.
Rruga Rahovec-Hamoc-Fortesë, është e gjatë mbi 10 kilometra.
Vlera e investimit nga MIT-ja është afër 1 milion euro, dhe do të bëhet me tërë infrastrukturën përcjellëse përfshi edhe shtegun për çiklistë. Kjo rrugë ua mundëson qarkullimin më të lirë mbi 1000 fermerëve të kësaj ane.
/Epoka e re/