Filmi “Nëntor i Ftohtë” i Ismet Sijarinës Premierë Botërore në San Sebastian
Premiera botërore për filmin artistik të regjisorit Ismet Sijarinës “Nëntor i Ftohtë” do të mbahet në edicionin e 66-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit.
Ky është filmi i parë nga Kosova në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të San Sebastianit, një festival ndërkombëtar tejet i rëndësishëm dhe i kategorisë A, ku do të jetë pjesë e konkurrencës zyrtar në Seksionin e Regjisorëve të Ri.
“Ky është një zhvillim i madh për kinematografinë e Kosovës dhe pasqyron një trend të sukseseve në rritje për industrinë e filmit në Kosovë”, u shpreh drejtori i QKK-së, Arben Zharku.
Filmi përcjellë Fadilin, i cili punon si arkivist në një ndërmarrje shtetërore, në Kosovën e fillimviteve ’90-ta, dhe duhet të zgjedhë mes dy opsione të gabuara! Në këtë mënyrë ai, jashtë vullnetit dhe dëshirës së tij, “gëlltit” turpin, ballafaqohet me imazhin e keq dhe duron presionin nga të gjitha palët.
Projekti filmik “Nëntor i Ftohtë” është produksion i shtëpive filmike Thumbs Up dhe Buka në bashkëprodhim me Albasky Film, AUDIOHAUS dhe Ikone dhe është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë.
/Epoka e re/