Filmi “The Menu” nuk duhet humbur

17 janar 2023 | 16:43

Nëse po ankohesh se ky vit nuk ka filma të mirë, na lejo të të japim një titull që do të të lërë pa fjalë: “The Menu”! Trailer-i e gjen këtu.

“The Menu” është një komedi e zezë me nota horrori, me regji të Mark Mylod dhe skenar të Seth Reiss dhe Will Tracy.

Kasti kryesor:

Ana Taylor-Joy (Margot); Nicholas Hoult (Tyler); Ralph Fiennes (Slowik).

Subjekti:

Në këtë film shfaqet satira e elitizmit, e përqendruar te bota e degustimit dhe kulinarisë. Në një restorant, ku mblidhen të famshmit, “mjeshtrat e vetëshpallur” që pretendojnë se dinë nga kulinaria aq ose më shumë se shefi i kuzhinës, si dhe gazetarët snobë, na prezantojnë me skena komike, duke sjellë me ironi të thellë dhe të mprehtë qasjen e regjisorit dhe skenaristëve.

Të gjithë këta njerëz bashkohen në një restorant jashtëzakonisht të shtrenjtë dhe luksoz, i ndodhur në një ishull të izoluar.

Një çift interesant si Margot dhe Tyler vizitojnë restorantin dhe përmes batutave të këndshme dhe humorit, na servirin një përzierje të veçantë të satirës së pastër dhe personaliteteve të ndryshme. Në film shfaqen pjata të kuruara me shumë kujdes nga shefi Slowik. Këto pjata vijnë me një çmim shumë të kripur, si 1,250 dollarë pjata dhe pasohen me batuta, si për shembull kjo e Margot (Ana Taylor-Joy), e cila thotë: “Çfarë po hamë? Një Rolex?”.

Shakatë, ironia dhe mprehtësia e personazheve është fantastike, si dhe skepticizmi i Ana Taylor-Joy sjell në mënyrë mjeshtërore mosbesimin dhe satirën ndaj ndarjeve klasore.

Nëse të duhen edhe disa arsye pse ta shohësh “The Menu”, po të japim 5:

Kuptimi që mbart filmi

“The Menu” i referohet vlerësimit të gjërave që të rrethojnë: planetit, njerëzve, përvojave, atyre kalimtare dhe atyre që lënë shenjë. Flet për vlerësimin e stafit të shërbimit, të bashkimit njerëzor, (Sepse në film shfaqen të pasurit që izolohen nga bota reale), si dhe për barazinë, pa ndarje klasore dhe ekonomike.

Performanca e jashtëzakonshme e Ana Taylor-Joy

Për këtë aktore, nuk kemi fjalë, vetëm një ndjesi: mahnitje. E kemi parë te “The Queen’s Gambit”, apo te “The VVitch” dhe është thjesht spektakolare. Aktrimi i saj i bën skenat shumë të kënaqshme për syrin, si dhe humori i hollë është patjetër një arsye e fortë.

Klasa e pasur

Çdo film i mirë ka një antagonist, ose shumë. “The Menu” i përket kategorisë së dytë, megjithëse snobët dhe të pasurit bëjnë pjesë në shumë kahe të ndryshme. Disa janë fajtorë, disa ndihen në piedestal, disa duan të përjetojnë ndryshime të mëdha, por në një pikë, u del situata nga kontrolli dhe dalin në origjinë. Është shumë e thjeshtë t’i marrësh inat, por po aq e thjeshtë sa t’i justifikosh, sepse janë njerëz me të mirat dhe të këqijat e tyre.

Ushqimi

Margot nuk duket e mahnitur nga ushqimi, pasi në fund të ditës, pjatat e përgatitura janë të krijuara për t’u dhuruar një përvojë unike dhe ekskluzive të pasurve. Gjithsesi, simbolika, pamja, humori dhe horrori që e shoqëron çdo pjatë, është mbresëlënës.

Suspanca

Çdo moment i “The Menu” ka për qëllim të të mbajë pezull. Të dhuron një ndjenjë të rreme sigurie dhe më pas, të frikëson dhe të çudit. Kombinimi i Margot dhe Tyler është spektakolar dhe personazhet e tjerë që i rrethojnë, përbëjnë situata të mbushura me suspancë dhe horror.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pak minuta më parë kanë përfunduar ndeshjet e para të…