Filmi “Zgjoi” fiton tri çmime në Sundance Film Festival
Filmi artistik nga Kosova, “Zgjoi” me regji të Blerta Bashollit ka fituar tri çmimet kryesore të “Sundance Film Festival”.
Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK) ka njoftuar se ky film ka fituar çmimet: Filmi më i mirë, Regjisorja më i mirë, dhe çmimin e vlefshëm të publikut të festivalit më të madh të filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara.
“Të shpërblehem nga festivali im i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipën, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar, dhe e cila është shembull për të gjithe ne” është shprehur Basholli përmes një video mesazhi, thuhet në njoftimin e QKK-së.
Filmi “Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes.
Ajo e fillon këtë angazhim duke u përballur me një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.
Askush dhe asgjë nuk e ndaloi Fahrijen në misionin e saj. E pikërisht kjo gjë e intrigoi Bashollin që të realizojë një film të bazuar në jetën e saj.
Rolin e Fahrijes e luan aktorja, Yllka Gashi. Filmi ‘Zgjoi’ është filmi i parë i gjatë i Bashollit dhe pas festivalit ‘Sundance’ ka një rrugëtim nëpër festivale të tjera. Për publikun kosovar do të shfaqet në fund të këtij viti.