Filozofia dhe etika politike e Ukshin Hotit (2)
Prof. ass. dr. Sabri Kiçmari
Republika Popullore e Kinës, sipas tij, e luan rolin e fuqisë së madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare jo pse i plotëson atributet e lartpërmendura, por vetëm me numrin e madh të popullsisë dhe madhësinë territoriale. Kjo gjendje në vitin 2019 ka ndryshuar. Republika Popullore e Kinës, përpos që paraqet shtetin me popullsinë më të madhe në botë dhe njërin nga shtetet me territorin më të madh gjeografik, që nga viti 2010 zë vendin e dytë në botë për nga fuqia ekonomike (IMF 2019).
Nocioni “Luftë e Ftohtë”, sipas Ukshin Hotit, u vu në përdorim të përditshëm pas Luftës së Dytë Botërore, përmes të cilit përshkruhej “një situatë tendosjeje ndërmjet fuqive të mëdha me sistem të ndryshëm shoqëror-politik” (Hoti 1976: 14). Në të vërtetë, “Lufta e Ftohtë” paraqet konfliktin në mes të shteteve perëndimore nën udhëheqjen e ShBA-së dhe të ashtuquajturit Bllokut të Lindjes, nën udhëheqjen e Bashkimit Sovjetik, i cili zgjati në mes të viteve 1947-1989.
Edhe pse gjatë kësaj periudhe nuk erdhi deri te konflikti i armatosur në mes të dy blloqeve, ky konfrontim shfaqej si një lloj lufte ideologjike në mes të demokracisë liberal-demokratike dhe real-socializmit, si luftë sistemore shoqërore-ekonomike në mes të ekonomisë së tregut të lirë dhe ekonomisë së dirigjuar nga shteti si dhe si luftë për fuqi ushtarake në mes të Traktatit të NATO-s dhe Paktit të Varshavës. Konflikti në mes të dy blloqeve ka pasur në radhë të parë natyrë filozofike politike: dy stile të ndryshme politike, dy sisteme të ndryshme ideologjike, dy botëkuptime të ndryshme filozofike për botën, shtetin, shoqërinë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ndryshe nga disa teoricienë perëndimorë, të cilët “marrëdhëniet ndërkombëtare, në esencë, i shpjegonin me ekuilibrin e fuqive”, dhe fuqia në kohë paqeje, sipas tyre, “shfaqej si prestigj”, me qëllim të fshehjes së karakterit të saj të vërtetë, Hoti konstaton se lufta e ftohtë në esencën e vet, “është vetëm formë e zbatimit të dhunës jo vetëm në kuptimin fizik, por edhe në atë psikologjik, ekonomik, politik dhe shoqëror” (Hoti 1976: 36).
Ai polemizon edhe me autorët e proveniencës lindore, të cilët insistojnë se Lufta e Ftohtë ka karakter klasor, përkatësisht është një “formë e luftës ndërkombëtare klasore”. Hoti konstaton se është “bukur vështirë të përcaktohet karakteri klasor i politikës së “Luftës së Ftohtë”, meqë asnjëherë nuk ka ekzistuar dallimi i qartë ndërmjet politikës praktike të ndonjë vendi, pa marrë parasysh sistemin e tij politik dhe qëllimet e tij të deklaruara” (Hoti 1976: 15).
Duke mbajtur një qëndrim drejtpeshues në analizën e tij, Ukshin Hoti i vë në tavolinë tezat e të dy sistemeve kundërthënëse ideologjike, politike dhe ushtarake. Ai ja ofron lexuesit këndvështrimin perëndimor për Bashkimin Sovjetik, duke cituar përfaqësuesin më eminent të teorisë së realizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare Hans Morgenthau, i cili shkruan se “ideologjia socialiste ishte tërheqëse për njerëzit në deceniet e para të shekullit XX vetëm si mit, e jo si realitet” (Morgenthau 2011: 9). Sipas Morgenthaut “ajo që, në të vërtetë, i kërcënohet Perëndimit, nuk është miti komunist, por forca e Rusisë”. (Morgenthau 2011: 9).
Pra, shohim se Morgenthau e përqendron vëmendjen te forca dhe jo te ideologjia si mit. Në të njëjtën kohë, Hoti dekonstrukton teorikisht edhe linjat vepruese të Stalinit në politikën e jashtme. Ai konstaton se Stalini “interesat ideologjike të proletariatit ia nënshtronte politikës shtetërore sovjetike, ndërsa ideologjinë e shndërroi në instrument të kësaj politike” (Hoti 1976: 16). Sipas tij “Stalini gjithnjë shërbehej me fjalor revolucionar të marksizmit klasik, por në të shumtën e rasteve ndiqte interesin e politikës së shtetit të vet” (Hoti 1976: 16). Pra, jo ideologjia, por në radhë të parë interesi shtetëror, jo revolucioni marksist, por interesi, ishin linjat e veprimit të Stalinit në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Stili mprehtë analitik i Hotit vërehet edhe në analizën e konfliktit në mes të SHBA dhe Republikës Popullore të Kinës. Sipas tij “Shtetet e Bashkuara ndaj RP të Kinës, zbatonin metodën e zhonglerizmit politik” (Hoti 1976: 34). SHBA nuk pranonin që Republika Popullore e Kinës të anëtarësohej në OKB, duke u arsyetuar se qeveria e Kinës kontinentale nuk përfaqëson popullin kinez, por Taivani është përfaqësues legjitim i tij. SHBA do të bllokonin pranimin e Republikës Popullore të Kinës deri në vitin 1971. Megjithë gjuhën e ashpër në mes të SHBA dhe Republikës Popullore të Kinës, të dy palët u kujdesën që të shtensiononin situatën, sidomos pas ardhjes së Richard Nixonit në krye të Administratës së SHBA.
Sipas Ukshin Hotit politika e koekzistencës paqësore në kontinentin e Evropës gradualisht u shndërrua në politikë të detantit, e cila implikonte “klimë të re, atmosferë më të butë të marrëdhënieve ndërkombëtare, ton më miqësor dhe mundësi më të mëdha për bashkëpunim, që do të jetë shtytje për zhvillim më të madh teknik-teknologjik dhe ekonomik” (Hoti 1976: 72). Një rol të madh në këtë drejtim ka luajtur Ost-Politika e kancelarit gjerman Wili Brandt.
Ukshin Hoti e rreshton veten natyrshëm në mbështetës të demokratizimit dhe barazisë në marrëdhëniet ndërkombëtare si dhe në mbështetës të lëvizjeve nacionalçlirimtare, duke u deklaruar kundër privilegjeve të shteteve të mëdha në marrëdhëniet ndërkombëtare, kundër të drejtës për eksportim të revolucionit ose kundërrevolucionit si dhe kundër kufizimit të sovranitetit të shteteve të pavarura.
Në analizën e mëvonshme të rrethanave të krijuara në prag të përfundimit të Luftës së Ftohtë Ukshin Hoti e definon sistemin e ri ndërkombëtar si policentrist. Sipas tij polet e policentrizmit kanë këtë strukturë: “Polet e këtij policentrizmi janë të pajisura me lloje të ndryshme të fuqisë ushtarake (Sovjetikët), ekonomike dhe financiare (Japonezët dhe Gjermanët), demografike (Kina dhe India), ushtarake dhe ekonomike (SHBA)” (Hoti 1995: 52).
Lufta e Ftohtë përfundoi në një kontekst interesant ndërkombëtar. Në lidhje me përfundimin e saj, Henry Kissinger ka shkruar: “Lufta e Ftohtë kishte filluar në një kohë, kur Amerika priste një periudhë paqeje dhe përfundoi në një moment, kur Amerika po përgatitej për t’i bërë ballë një periudhe të re konflikti të zgjatur” (Kissinger 1999: 762). Ky sistem do të lëvizte në drejtim të ndërlidhjes së natyrës anarkike të shteteve nëpërmjet “një rrjeti të gjerë të strukturave ligjore dhe të rendit ndërkombëtar” (Kissinger 2014: 16), gjë që do të shtrojë nevojën e domosdoshme për reformimin dhe modernizimin e tij konform rrethanave të reja të krijuara.
- Pikëpamjet për politikën e jashtme
Studiuesi i njohur i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Karl Deutsch, e ka definuar në këtë mënyrë politikën e jashtme: “Së pari, politika e jashtme e çdo vendi merret me ruajtjen dhe sigurimin e pavarësisë së vendit dhe, së dyti, me ndjekjen dhe mbrojtjen e interesave të tij ekonomike” (Deutsch 1978: 100). Edhe përfaqësuesi tjetër i shkollës realiste në marrëdhëniet ndërkombëtare, Hans Morgenthau, në analizën e tij rreth parimeve të politikës së jashtme e vendos fokusin te interesi dhe fuqia (Morgenthau 2011: 33). Ai e quan krejt të kotë dhe utopike të kërkohet çelësi i politikës së jashtme vetëm në motivet e shtetarit (Morgenthau 2011: 6).
Në pikëpamjet e Ukshin Hotit për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare ne gjejmë jo vetëm një mendje të mprehtë analitike, por edhe përfaqësuesin tipik të shkollës realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare. Në linjë me dy klasikët e mendimit shkencor të marrëdhënieve ndërkombëtare, Ukshin Hoti politikën e jashtme e definon “si kompleks metodash për realizimin e interesave të shtetit dhe shprehje e shtetësisë së shtetit apo e sovranitetit të kombit” (Hoti 1995: 20). Ai shkruan se “ideja e interesit është vërtetë në thelb të politikës dhe se nuk dëmtohet nga koha dhe hapësira” (Hoti 1995: 25).
Politika e jashtme mbështetet mbi një shumë të caktuar të determinantave “duke përfshirë traditën historike të shtetit, lokacionin gjeografik, interesat dhe qëllimet nacionale dhe nevojat e sigurimit” (Hoti 1995: 20). Aktorët veprues në politikën e jashtme (shtetet, kombet) dhe ambientin e veprimit të tyre ai i quan si pjesë përbërëse të asaj që quhet politikë e jashtme e shteteve, “e cila gjithmonë niset nga interesi vital i kombit, dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare politike, ku interesat e tilla vitale thyhen, realizohen ose mbeten si të tilla” (Hoti 1995: 14).
Sipas Hotit synimi teorik në analizën e politikës së jashtme është “sintetizimi i përvojës, gjetja e rregullave të caktuara të sjelljes së aktorëve ndërkombëtarë dhe shquarja e ligjshmërive që i kushtëzojnë ato” (Hoti 1995: 18). Aktorët (shtetet, kombet) dhe ambientin e veprimit të tyre Hoti i quan si pjesë përbërëse të asaj që quhet politikë e jashtme e shteteve, “e cila gjithmonë niset nga interesi vital i kombit, dhe marrëdhëniet ndërkombëtare politike, ku interesat e tilla vitale thyhen, realizohen ose mbeten si të tilla” (Hoti 1995: 14). Interesi i shtetit, sipas tij, realizohet “në realitetin objektiv përmes metodave të lejueshme, legale: në kohë paqeje – përmes diplomacisë, ndërsa në kohë lufte – përmes luftës” (Hoti 1995: 15).
Në formulimet e mësipërme ne mund të identifikojmë politikologun realist, i cili, ndryshe nga pacifizmi në modë, nuk heziton të operojë me nocionin luftë, si diçka e domosdoshme në momente të caktuara për mbrojtjen e interesave nacionale. Do të duhej të lindte Ushtria Çlirimtare e Kosovës që të vërtetonte katërçipërisht konceptet e tij.
Ukshin Hoti i kritikon ashpër konceptet lideriste dhe bajraktariste në të konceptuarit e politikës së jashtme. Vërejtjet e tij duken tepër aktuale edhe për kohët e sotme. Ai kritikon “botëkuptimin tradicional dhe rudimentar” mbi politikën e jashtme, “nëse jo edhe primitiv, mjaft të përhapur në disa qarqe me rëndësi politike në Jugosllavi, por edhe në Kosovë, i cili u përgjigjej ambicieve lideriste në të gjitha nivelet apo mentalitetit të thjeshtësuar bajraktarit” (Hoti 1995: 20).
Hoti nuk ngurron të luajë rolin e këshilltarit për burrështetasit në lidhje me interesat strategjike nacionale: Çdo burrështeti që kërkon t’i formulojë qëllimet e politikës së jashtme dhe t’i realizojë ato në praktikë, doemos duhet t’i marrë parasysh “disa kufizime të palëvizshme” që i nënkuptojnë determinantat në fjalë. Pavarësisht nga bindjet filozofike, politike apo religjioze të individëve “ekzistojnë interesa të gjerë strategjikë të lidhur intimisht me pozitën gjeografike të kombit dhe me rolin ndërkombëtar që duhet ruajtur” (Hoti 1995: 20).
Elita politike në Kosovë nuk e kishte konceptuar me realizëm politikën ndërkombëtare në fund të viteve 1980 dhe 1990. Ajo e kishte përjetuar Bashkimin e Gjermanisë “si fitore të gjermanizimit të mundshëm të Evropës e jo si evropeizim i Gjermanisë; politika globale amerikane u përjetua si antisllavizëm i theksuar, kurse rënia e Bashkimit Sovjetik gati u barazua me eliminim total të faktorit sllav nga skena politike e Evropës dhe e botës” (Hoti 1995: 107). Bazuar në këtë konceptim jorealist, sipas Hotit, politika jonë e jashtme u orientua në mbështetjen e tepruar, gati ekskluzive, të faktorit të jashtëm: prej ekskluzivitetit të mendimit, njëlloj topitjeje të elanit të lëvizjes, e gjer te urrejtja latente dhe potenciale e bartësve të ndryshëm të mendimeve të kundërta.
Studiuesit e politikës së jashtme të Kosovës mund vetëm të aplaudojnë vërejtjet intencionale të Ukshin Hotit. Dhe mund të shtojnë edhe diçka: Politika jonë e jashtme duhet ta studiojë mendimin e Ukshin Hotit. Ka çfarë të mësojë prej tij, në mënyrë që të shmangë zvetënimin në veprim dhe përfaqësim, i cili ka arritur një shkallë të lartë joprofesionalizmi dhe ineficience. Politika jonë e jashtme duhet të heqë dorë për t’ju dhënë kompetencavendimmarrëse njerëzve joprofesionistë dhe pa mbështetje qytetare, përkundër mësymjes së tyre tëpërbindshme, duke pasur parasysh kapitalin e saj potencial, për ta shfrytëzuar për përfitime lideriste, partiake dhe financiare-biznesore. Interesi nacional, interesi shtetëror dhe konsensusi për to duhet të jenë premisat e veprimit në fushën e politikës së jashtme. (Vijon)