Filozofia dhe etika politike e Ukshin Hotit (4)
Prof. ass. dr. Sabri Kiçmari
8. Struktura sociale dhe politike e bartësve të ngjarjeve të vitit 1981
Ministri i Brendshëm i Jugosllavisë, Stane Dolanc, pas demonstratave të studentëve të Universitetit të Prishtinës në mars dhe prill të vitit 1981, pati deklaruar se ato janë organizuar nga “grupet profashiste… me qendër në Stuttgart, Bruksel dhe vende të tjera në Evropë” (Meier 1995: 48). Edhe disa udhëheqës komunistë të Kosovës, të cilët konsideroheshin si “përkrahës të etur të linjës jugosllave”, do të deklaronin se demonstratat e vitit 1981 janë organizuar nga “grupe nacionaliste, irredentiste, separatiste, antirevolucionare etj”. (Meier 1995: 59). Një përshkrim të këtyre akuzave të udhëheqjes komuniste kosovare dhe jugosllave e ka bërë historiani britanik Noel Malcolm. Ai dekonstrukton me shumë kujdes “procesin e diferencimit ideopolitik” dhe kualifikimin e demonstratave si “kundërrevolucionare, shoviniste dhe separatiste” (Malcolm 2011: 422).
Por, ndryshe nga udhëheqësit e Lidhjes Komuniste, Ukshin Hoti ka një meritë të jashtëzakonshme në përshkrimin e strukturës sociale të bartësve të demonstratave të vitit 1981. Ai shkruan se sipas të dhënave statistikore mbi përkatësinë profesionale, të gjinisë, të origjinës sociale, të moshës, “pjesa më e madhe e tyre ishin të rinj, nxënës, me shkolla të mesme të kryera, ose studentë e të rinj të tjerë me diplomë fakulteti, shumica të papunë, por edhe të punësuar… Shumica absolute kishte prejardhje fshatare, por kishte edhe punëtorë, si dhe të shtresave të tjera shoqërore, por më pak” (Hoti 1995: 67).
Racionalizmi politik i Ukshin Hotit nuk i përket vetëm rrafshit teorik, por edhe veprimit praktik. Ai është profesori, që nuk është vetëm pranë studentëve, por me studentët, që i kupton dhe i mbron ata politikisht e moralisht: “Ata nuk ishin kontrarevolucionarë e as të manipuluar”, shkruan ai. Ukshin Hoti e pranon se të rinjtë demonstrues të vitit 1981 e kishin gjetur në literaturën politike shqiptare fundamentin e tyre për t’u artikuluar me shkrim, në formë të programeve, pamfleteve, parullave e shkrimeve të tjera. Por ai konstaton me të drejtë, se ky nuk mund të ishte indikacion i përcaktimit të tyre të pjekur ideologjik. Ata të rinj të moshës 18-24 vjeçare, që i kishte takuar nëpër burgje, por edhe jashtë tyre, “nuk mund të kishin qenë, edhe po të kishin dëshiruar, njohës të thelluar të sistemeve komplekse të mendimit dhe se andaj, politika e dënimeve të tyre të rënda nuk kishte qenë me vend” (Hoti 1995: 18). Hoti ishte i bindur se të rinjtë demonstrues të vitit 1981 nuk mund të ishin armiq, nacionalistë, irredentistë e kundërrevolucionarë, siç do të kualifikoheshin nga Lidhja Komuniste e Jugosllavisë dhe, për fat të keq, edhe nga Lidhja Komuniste e Kosovës. Ky kualifikim ishte përdorur për të zgjeruar dhunën mbi shqiptarët në Kosovë, e cila do të arrinte kuota marramendëse: gjer në vitin 1989 ishin trajtuar nga policia rreth 584.373 veta, që përafërsisht do të thoshte çdo i katërti shqiptar. Me këtë Lidhja Komuniste e Kosovës (dhe LKJ) “kishin krijuar dy botë totalisht të kundërvëna ndaj njëra-tjetrës” (Hoti 1995: 67).
Ukshin Hoti kishte qenë pranë studentëve gjatë demonstratave të vitit 1981. Madje në raste të caktuara ai kishte qëndruar në mes të milicisë dhe studentëve. Ai nuk mund t’i mendonte studentët e tij si armiq, irredentistë, nacionalistë e kundërrevolucionarë. Kur politika kërkon prej tij me arrogancë që të ndërhyjë për të ndalur demonstratën, ai kishte vendosur të rreshtohet me studentët kundër politikës së Lidhjes Komuniste. Me këtë akt ai do të shndërrohej në simbol të intelektualit të guximshëm, që e sakrifikon veten për të ardhmen, për të mirën, për të drejtën.
Hoti i përshkruan të rinjtë demonstrues, bashkë me të cilët do të kalonte vite të tëra burgu, si të rinj të etur për dije nga fusha e shoqërisë, politikës, filozofisë, historisë, antropologjisë, që lexojnë me zell dhe mbajnë shënime ilegalisht, kanë etje përvëluese për të mësuar për veten dhe për shoqërinë që i kishte dënuar. Ata ishin të brumosur me një botë ideale, një botë të pastër, të mirë, botë barazie e humane: “Këta të rinj e kishin pasur shpirtin e pastër, të çiltër si rrezja e diellit në mëngjes. As në zemër dhe as në mendje nuk e bartnin të keqen. Ideali i tyre dukej sinonim me të mirën dhe të bukurën. Bota që e gjakonin ishte e përmbushur me shpirtin e tyre të pastër, me ëndrrat e tyre të bukura, me idealet e tyre të mëdha. Ishte ajo një botë e barazisë së përgjithshme dhe të plotë, e zhveshur nga ligësitë e llojeve të ndryshme. E dëshironin një botë me raporte të çiltra e humane, me konkurrencë të lirë të mendimit dhe të ideve, me kritere të njëjta të zgjedhjes së më të mirit, pa përbuzje, një botë ku do të shpërthenin vlerat e tyre të njëmendta individuale dhe gjeniu i tyre kolektiv krijues” (Hoti 1995: 72). Dhe profesori i tyre, Ukshin Hoti, e përjeton botën e tyre me ta dhe i gëzohet pranisë së tij mes tyre: |Unë, i shkolluari në metropolet e vendit dhe të botës, ndonëse i katandisur rëndë në burg, gëzohesha kur më konsideronin të vetin” (Hoti 1995: 72).
Mbrojtja e të burgosurve politikë nga ana e Ukshin Hotit vazhdon edhe pas krijimit të partive politike në Kosovë. Ai e kritikon ashpër LDK-në, e cila në hapat e saj të parë të veprimit kishte si synim “përjashtimin e tyre nga jeta shoqërore me metodën e vjetër të etiketimit më parë si irredentist e nacionalist, kurse tani si ‘të kuqë’, ‘komunistë’ e ‘marksistë- leninistë’” (Hoti 1995: 15). Ai ironizon me të drejtë se prapa këtij sistemi të të menduarit fshihen interesa meskine dhe tentimi që të vazhdohet e djeshmja nën vellon e demokracisë: “Komunistët e dikurshëm të sistemit i etiketojnë bartësit e njëmendët të demokracisë, ata që i kontribuuan fuqimisht lindjes së saj, dhe ua mohojnë të drejtën e pjesëmarrjes në jetën shoqërore të demokracisë, me pretekstin e ‘majtizmit’ të tyre” (Hoti 1995: 15). Në këto fjali zhvishet morali i një strukture dhe sistemi të të menduarit, i cili përshtatjen me vlerat e reja për vete, mundohet t’ua mohojë të tjerëve, duke harruar se vetë kishte qenë aktive dhe agresive kundër tyre edhe në të kaluarën.
9. Dështimi i elitës politike dhe heshtja e intelektualëve
Ukshin Hoti e kritikon mosangazhimin e inteligjencies universitare dhe elitës politike në demonstratat e vitit 1981. Shumica e shtresës intelektuale në Kosovë pas vitit 1981 mbyllet në vete dhe hesht (Qosja 2014: 442). Mendohej se heshtja e saj flet vetë. Heshtja ishte mënyrë për të shmangur burgun. Hoti është mjaft kritik ndaj intelektualëve. Sipas tij shtresa intelektuale “nuk kishte dashur të humbte asgjë: as besimin e masave dhe as pozitën e vet shoqërore” (Hoti 1995: 71).
Heshtjen e intelektualëve të Kosovës ishte munduar ta thyejë Lidhja Komuniste përmes procesit të diferencimit ideopolitik. Dhe, kishte arritur të detyronte shumë prej intelektualëve të bënin akte të deklarimit formal kundër demonstratave të viti 1981. Ata që nuk kishin bërë deklarime të qarta ishin sanksionuar, kurse ata që ishin treguar më të vendosur ishin përjashtuar nga Lidhja Komuniste e Kosovës dhe Universiteti. Heshtja e intelektualëve do t’i lëndonte shumë studentët demonstrues. Në rrethana të tilla, studentët do ta orientonin vëmendjen drejt Shqipërisë, të cilën, siç konstaton Hoti, do ta përjetonin si një lloj mbështetjeje në raport me heshtjen në Kosovë (Hoti 1995: 71).
Ukshin Hoti përmes një metode sintetike bën një dekonstruktim të jashtëzakonshëm të rezonimit të titistëve, të kthyer brenda natës në demokratë, pas ndryshimeve sistemore në vitin 1990. Ai shkruan se ata ishin të pajisur me një psikologji tipike antidemokratike. Mendimet e kundërshtarëve i etiketojnë si staliniste dhe “serbo-sllavo-komuniste”. Pra, titistët gjuajnë në ambientin publik shqiptar “shtriga staliniste” në hapësirën “edhe ashtu të ngushtuar politike të Kosovës”: “T’i akuzosh ata që e lindën edhe Republikën edhe demokracinë se nuk e deshën këtë të fundit, do të thotë se diç nuk është në rregull, jo vetëm në kokat e individëve, por në raportet në shoqëri” (Hoti 1995: 89).
Hoti në analizat e tij në lidhje me elitën titiste është shumë i drejtpërdrejtë. Ai shkruan se elita titiste nuk ka qenë në gjendje të kuptojë ato që po ndodhnin në Kosovë, vazhdimisht ka qenë e befasuar nga ngjarjet dhe në bisht të tyre, ishte e frikësuar, e paaftë. Ajo u bë me popullin, vetëm kur u shndërrua vetë në subjekt eliminimi të partisë së tyre, Lidhjes Komuniste. Por, edhe pas kësaj, elita titiste e keqpërdori futjen në vallen e demokracisë. Ajo “nuk e kuptoi atë si pjesëmarrje të barabartë në luftën për demokraci dhe për Republikën e Kosovës, por si mision për eliminimin e atyre të mëparshmëve” (Hoti 1995: 89). Elita titiste në Kosovë nuk mund të emancipohej nga pushteti i vjetër, nuk mund të mendonte me kokën e vet. E paaftë për veprim strategjik politik, ajo kërkonte mbështetje nga jashtë, nëse jo në Beograd, atëherë doemos në Evropë. Pra, vëmendjen e përqendroi sërish te faktori i jashtëm.
Në librin e tij “Filozofia politike e çështjes shqiptare”, Hoti paraqet një këndvështrim të jashtëzakonshëm sociologjik në lidhje me rrjetet e ndikimit politik nga qyteti në fshatrat e Kosovës. Ai e përshkruan këtë si “fenomenin e bijve të ‘tatave’ në Prishtinë, të cilët mbështeteshin nga bijtë e ‘haxhi-babave’ në fshat” (Hoti 1995: 98). Elita politike si në kohën e LKJ, edhe pas vitit 1990, kërkon kuadro luajalë për vete dhe jo për zhvillimin e Kosovës. Zhvillohet një luftë e mëhallëve për të instaluar kandidatin e vet, pavarësisht aftësive. Djemtë me aftësi të veçanta izolohen nga mëhalla e vet. Shumica e të zgjedhurve ishin njerëz që jetojnë nëpër familje të mëdha, të cilët nuk e kishin provuar ndonjëherë shkëputjen dhe jetën individuale, „të cilët ndonëse qytetarë akademikë, i nënshtroheshin jo vetëm autoritetit, por edhe gjykimeve të më të vjetërve dhe të zotit të shtëpisë“ (Hoti 1995: 99). Dhe, familjet e tilla krijonin lidhje me shtresën intelektuale në Prishtinë, e cila gjithashtu në thelb udhëhiqej me leverdinë materiale. Përfaqësues të veçantë të shtresës intelektuale i vizitonin familjet e tilla në fshat me pretekste të ndryshme, “rëndom kinse për t’i takuar ish-studentët e tyre, të cilëve edhe ashtu shpesh ua kishin falur notat, po në të vërtetë për t’i mbushur gepekët e veturave të tyre të mëdha me zarzavate e gjëra të rastit” (Hoti 1995: 100). Hoti konstaton se në këtë mënyrë ishte krijuar një shoqëri çuditërisht njëtrajtëshe në themelin e së cilës ndodhej një oportunizëm i tmerrshëm, jo vetëm ndaj kërkesave të kohës, por edhe ndaj kërkesave të jetës në përgjithësi” (Hoti 1995: 100).
Një raport i tillë, i përshkruar më lart, e mohonte pothuajse totalisht rolin e femrës si subjekt shoqëror, oda shndërrohej në simbol të rendit shoqëror dhe në këtë mënyrë konservohej gjendja ekzistuese. Simbioza e tillë oportuniste “nuk e lejonte zgjedhjen e më të mirëve në strukturat udhëheqëse, jo vetëm të LDK-së” (Hoti 1995: 100). Ai do të prekej shumë nga kjo gjendje dhe do të konstatonte në Kuvendin e Krushës se “në Evropë nuk mund të shkohet me raporte feudo – klanore e feudo-kapitaliste” (Hoti 1999: 100). Dhe kishte ofruar dorëheqjen, gjë që do të bënte që salla të ngrihej në këmbë dhe masa kërcënonte të shpërthejë në mbështetje të tij.
10. Demokracia autentike
Duke cituar George Orwell-in nga libri i tij “1984”, Ukshin Hoti e dekonstrukton në thelb logjikën e sistemeve totalitare: “Pushteti nuk është mjet, ai është qëllim. Njeriu nuk vendos diktaturën për ruajtjen e revolucionit; Revolucioni bëhet për vënien e diktaturës. Qëllimi i torturës është tortura. Qëllimi i pushtetit është pushteti” (Hoti 1995: 92).
Përmes shkrimeve të tij, pas daljes nga burgu, Ukshin Hotin do ta njohim, në njërën anë, si një kundërshtar të pakompromis të logjikës totalitare dhe, në të njëjtën kohë, si një ithtar të mirëfilltë të demokracisë, nëse me demokraci e nënkuptojmë formën e qeverisjes, rendin politik dhe sistemin politik, në të cilin pushteti dhe qeverisja burojnë prej vetë popullit. Bazuar në këtë ide shkencore për demokracinë, Ukshin Hoti e preferon për Kosovën një demokraci të llojit të veçantë – një demokraci autentike, pra një lloj sistemi shtetëror dhe shoqëror, në të cilin pushteti dhe qeverisja burojnë prej vetë popullit të Kosovës. Ai nuk pajtohet me një demokraci të imponuar nga jashtë. Sipas tij, demokracia nuk i duhet Kosovës “për t’u stolisur (se edhe ashtu është e bukur), e as për të vallëzuar me të” (Hoti 1995: 59). Kosova mund të arrijë në Evropë vetëm me një demokraci autentike, të vetëlindur prej saj (Hoti 1995: 87). Dhe ai do të konstatonte se demokracia në Kosovë është vetëlindur më 27 janar 1990 në fshatin Brestovc (4 të vrarë dhe 19 të plagosur) dhe në ditët “e mëpastajme në Kosovë, të mbushura me gazra kimike, tym e barot dhe viktima të reja në njerëz” (Hoti 1995: 216). Me këtë shqiptarët e kanë paguar tagrën e gjakut për idealin e Republikës dhe Demokracisë, “në zbatimin e parimeve universale, të gjithëpranueshme të demokracisë, por edhe në ndërtimin dhe përsosjen e saj të vazhdueshme si ide universale e orientimit të njeriut për të jetuar i lirë dhe i barabartë me të tjerë”. (Hoti 1995: 218). (Vijon)