Filozofia dhe etika politike e Ukshin Hotit (5)

05 maj 2019 | 14:30

Prof. ass. dr. Sabri Kiçmari

Mbi bashkimin e kombit shqiptar

Në hapat e parë të saj, pas vitit 1990, demokracia në Kosovë nuk u kuptua drejt. Sistemi njëpartiak, në fakt, ia lëshoi vendin sistemit të njëmendësisë politike. Shtypi privat, që kritikonte Lëvizjen Paqësore, shuhej përmes makinacioneve të ndryshme. Mendimi ndryshe anatemohej.

Ish-komunistët e Lidhjes Komuniste të Kosovës, të shndërruar në demokratë, sollën një frymë tipike njëpartizmi në thelb, e pluralizmi në formë. Ukshin Hoti do të vërente këtë “avancim të së vjetrës dhe shtypje të së resë, ku përparohet mediokriteti dhe injorohet talenti” (Hoti 1995: 97) dhe do të reagonte me forcën e argumenteve kundër tij.

Ai do të insistonte vazhdimisht që të arrihej te thelbi i demokracisë: debati dhe dialogu. Duke u thirrur në 2.500 vjet të historisë së demokracisë, ai do të konstatonte: “debati dhe jo burgu, ostracizmi e denigrimi do ta revalorizojë të kaluarën dhe do ta begatojë demokracinë” (Hoti 1995: 107).

Demokracia autentike sipas Hotit duhet ti ketë parasysh përvojat e polisit antik të Athinës, rendin parlamentar dhe përpikërinë e britanikëve, patosin oratorik “në zhvillimin e gjimnastikës së mendjes” të francezëve, idetë e demokracisë amerikane, të përshkruara me mjeshtëri nga Alexis de Toqueville, në mbështetje të lirisë së individit dhe ndarjes së pushteteve etj.

Demokracia autentike e Ukshin Hotit është në akord të plotë me parimet themelore të demokracisë (sistemin shumëpartiak, zgjedhjet e lira, parlamentin, liritë politike, e drejta e votimit etj.).

Hoti madje pledon për akceptimin e tyre, duke synuar që të përcaktojë “atë që do të ishte autentike, si në zbatimin e tyre praktik, ashtu dhe në akceptimin e tyre nga ana e shoqërisë” (Hoti 1995: 220). Demokracia autentike konsiderohet nga ai si pjesë e një orientimi të gjithëmbarshëm të qytetarëve të Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Demokracia, si formë e vjetër e organizimit shoqëror, mund të qëndrojë gjatë vetëm në rast të lindjes në mënyrë autoktone, duke i marrë parasysh organizimin politik, kushtet, mentalitetin, karakterin dhe veçoritë e vendeve të caktuara.

Ukshin Hoti ndërton teza të forta teorike të bashkimit kombëtar të shqiptarëve pak kohë pasi kishte ndodhur Bashkimi i Gjermanisë. Ai herë është kuptuar e më shpesh është keqkuptuar në lidhje me këtë nga elita politike.

Por, i sigurt në tezat e tij, ai nuk ka hequr dorë nga ato. Arsyetimi i tezës për bashkim është përmbledhur në idenë e maksimalizimit të fuqisë: “Po qe se sipas teorive në fjalë, lufta e kombeve për pushtet (fuqi), është imanente në vetë natyrën e kombit, autorët e tyre nuk janë naivë që të mos e dinë se shqiptarët janë komb ashtu si dhe kombet tjera të formuara dhe se është, po ashtu, në natyrën e këtij kombi, ashtu si dhe te kombet tjera, synimi për t’u shtetëzuar, për të pasur pushtet dhe për ta maksimalizuar fuqinë” (Hoti 1995: 24).

Argumentimin e tij për rëndësinë e bashkimit të kombit shqiptar, Ukshin Hoti nuk e bazon në mitologji dhe nacionalizëm primitiv, por në interesin zhvillimor të kombit. Formulimin strategjik e përmbledh në Fjalën e tij të mbrojtjes para Gjykatës serbe në Prizren, më 29. 09. 1994: “Populli shqiptar duhet bashkuar. Këtë e dinë të gjithë dhe askush më nuk e konteston.

Ai duhet të bashkohet për shkak se është i njësuar në planin shpirtëror: e ka një gjuhë, një kulturë dhe një histori. Për shkak se është një popull i vjetër evropian i Ballkanit, i cili që herët e ka demonstruar pjekurinë e vet shtetformuese; për shkak se gjithashtu që herët e ka arritur nivelin e duhur të vetëdijes politike për veten, për vendin dhe për interesat e veta në regjion, dhe për shkak se e ka dëshmuar në mënyrë të lavdishme dobishmërinë e vet në të gjitha planet e bashkësisë evropiane të popujve.

Nuk i duhet që ta dëshmojë përkatësinë e vet në këtë bashkësi, sepse pavarësisht nga pozita e vet gjeopolitike dhe e pranisë së religjionit islamik në shumicën e pjesëtarëve të tij, ai ka qenë dhe ka mbetur popull evropian. Ai duhet të bashkohet edhe për shkak se e drejta për vetëvendosje është njëra ndër arritjet qenësore të qytetërimit evropian, e drejtë të cilën vetë ajo e ka proklamuar dhe e cila më asnjë populli në Evropë nuk mund t’i refuzohet a t’i mohohet. Popullit shqiptar i duhet një gjë e tillë që të mund të zhvillohet vetë më tej për ta arritur nivelin e përgjithshëm të kësaj bashkësie. E drejta e popullit shqiptar për t’u bashkuar buron edhe nga fakti se ai nuk ka qenë ndonjëherë i pyetur për caktimin e kufijve që e cungojnë nga të gjitha anët” (Hoti 1995: 179).

Në procesin e konstituimit të shtetit të bashkuar shqiptar, Hoti fton që Shqipëria të jetë bartëse e politikës gjithëkombëtare. Ai insiston që të mos rrezikohet ekzistimi i Shqipërisë si shtet. Ai përmbledh si më poshtë interesat vitale të kombit: “Në qoftë se me nocionin komb nënkuptohet përmbajtja anglo-saksone e tij, dmth. kombi i konstituuar si shtet (nation-state) atëherë do të ishte fare e natyrshme dhe e logjikshme që Shqipëria të jetë bartëse e një politike gjithëshqiptare, sikundër që është e natyrshme dhe e logjikshme që shumica absolute e shqiptarëve të diasporës shqiptare ta synojnë qëllimin e bashkimit, por duke mos e rrezikuar ekzistencën e vet si komb, dhe të shtetit amë – Shqipërisë.

Në këtë kuptim mund të flitet për interesat vitale të kombit:a) të ekzistojë si komb; b) si komb i konstituuar në shtet – Shqipëri, dhe c) të bashkohet” (Hoti 1995: 48). Këto teza rreth interesave të kombit shqiptar në Evropën Juglindore janë identike me tezat e ish-kancelarit gjerman Helmut Kohl për bashkimin gjerman: “Rruga drejt bashkimit nuk është shtruar në tavolinën e gjelbër ose përmes planifikimit me dorë të një plani terminësh. Modelet abstrakte ndoshta mund të zbatohen në rrugë polemike, por ato nuk ndihmojnë tutje. Por ne mundemi, nëse vetëm duam, që sot t’i përgatisim ato etapa, të cilat sjellin deri te ky qëllim… Se si do të duket një Gjermani e ribashkuar, nuk e di sot askush. Por, që bashkimi do të vijë, nëse njerëzit në Gjermani këtë gjë e duan, për këtë jam i sigurt” (Kohl 1989).

Njësoj si Profesor Rexhep Qosja, i cili duke e shtjelluar teorikisht procesin e shpërbërjes së Jugosllavisë, vjen në përfundimin se “për shqiptarët mund të jetë zgjidhje e drejtë, e drejtë dhe e përhershme, vetëm bashkimi kombëtar – si zgjidhje që del nga zbatimi i të drejtës për vetëvendosje” (Qosja 1994: 309), edhe Ukshin Hoti shkruan se duke u deklaruar për republikën dhe për bashkimin e trojeve shqiptare në kuadër të proceseve integrative të Evropës, populli shqiptar e tregoi pjekurinë e vet politike. Shqiptarët e shpallën Republikën e Kosovës dhe i deklaruan hapur qëllimet e veta politike: “Në thelb të këtyre qëllimeve nuk qëndron ekspansioni – lakmia për tokat e huaja, por e drejta për t’u kompletuar si komb i Evropës” (Hoti 1995: 80).

Pra, procesin e bashkimit të shqiptarëve duhet konsideruar si të mundshëm brenda suazave të proceseve integruese të Evropës. Shqiptarët janë të aftë për aleanca të qëndrueshme, orientim të qartë perëndimor dhe shekulli i ri ka hapur rrugë të reja për rritën dhe zhvillimin e tyre: Kosova e pavarur, Shqipëria në NATO, të dyja në rrugë drejt integrimit në BE. Koha po punon në rrjedhën e tezave të Ukshin Hotit. Shembulli i Gjermanisë mbetet udhërrëfyes.

Kritikë

Por, a ka diçka me të cilën nuk mund të pajtohemi sot me Ukshin Hotin? Sigurisht që po. Mjaft subjektiv më duket Hoti në vlerësimin e figurës politike të Mahmut Bakallit. Ai e mbiçmon Bakallin. Dija politike dhe guximi politik i Bakallit nuk ishin as afër atyre të Ukshin Hotit. Nëse i kemi parasysh të gjitha ato që ka shkruar dhe thënë Bakalli gjatë dhe pas vitit 1981, ato kanë qenë në mesataren e elitës politike në Kosovë. Hoti e quan atë demokrat dhe jokomunist, me orientim të qartë liberal në demokraci, elitist në sjellje dhe botëkuptime.

Nuk na del i tillë gjatë vitit 1981. Në fjalimin e tij të 6. Prillit 1981, në Mbledhjen e Komitetit Krahinor të Lidhjes Komuniste të Kosovës, Mahmut Bakalli, në akord të plotë me variantin komunist të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, shpërfaqë qëndrime të ashpra kundër idesë së Republikës së Kosovës, përmbajtje të qarta antidemokratike dhe antiliberale, duke i cilësuar studentët demonstrues si armiq, nacionalistë e separatistë. Po e japim këtu një pasus të vetëm nga fjalimi i tij më i gjatë: “Qe disa ditë jemi të ballafaquar në krahinën tonë me një situatë tejet të ndërlikuar dhe të vështirë politike e të sigurisë që u krijua me veprim të armikut të brendshëm e u nxit dhe u koordinua nga armiku i jashtëm, i cili synon që me demonstrata dhe aksione të tjera nëpërmes nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar të krijoj jostabilizim edhe në Kosovë me qëllim kryesor që të krijojë jostabilitet të Jugosllavisë, të shkatërrojë sistemin e saj socialist dhe vetëqeverisës, integritetin e saj, pavarësinë dhe mosinkuadrimin e saj” (Bakalli 1981).

Ukshin Hoti e arsyeton Bakallin edhe për deklaratat e tilla dhe sjelljet ekzibicioniste. Pyetja logjike për secilin studiues është e thjeshtë: Cili është heroi – Hoti apo Bakalli? Ky që sakrifikon veten për të vërtetën, të drejtën dhe Republikën, apo ai që del kundër Republikës, i dënon demonstratat dhe i quan studentët armiq? Përgjigjen, besoj, e di secili lexues!

Kam mendim tjetër nga Ukshin Hoti edhe në lidhje me të drejtën e vetos të vendeve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai e arsyeton këtë në këtë mënyrë: “Principi i këtillë i vendosur njëherë mund të pengojë disa fuqi të mëdha imperialiste në manipulimin me shumicën formale të votave dhe të ndërmarrin vendime në disfavor për shtetet e vogla ose t’i detyrojnë të marrin pjesë në aktet agresive.

Për këtë shkak principi i unanimitetit të fuqive të mëdha mbron jo vetëm interesat e fuqive të mëdha, por gjithashtu, sovranitetin dhe interesat e të gjitha shteteve të tjera” (Hoti 1976: 98). Pikëpamja ime është se përmes nenit 27. Al. 3 të Kartës së Kombeve të Bashkuara është legalizuar një akt pabarazie në marrëdhëniet ndërkombëtare. Përmes këtij neni ju janë dhënë pesë vendeve (ShBA, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Rusisë dhe Kinës) fuqi jolegjitime. Një e drejtë e tillë e rezervuar është shfrytëzuar për të shmangur veprimet e Kombeve të Bashkuara ndaj vendeve anëtare: Invazioni i Bashkimit Sovjetik në Çekosllovaki në vitin 1968 nuk u dënua nga OKB për shkak të së drejtës së vetos të Bashkimit Sovjetik; Kosova nuk mund të pranohet nga OKB për shkak të aplikimit të vetos nga ana e Rusisë, përkundër faktit që shumica e shteteve e kanë njohur pavarësinë e saj. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri, njëherësh lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka përkujtuar…