Filozofia politike, kombëtare e Adem  Demaçit

27 nëntor 2023 | 11:54

Prof. dr. Agim ZOGAJ

BIR DHE USHTAR I POPULLIT

Historia moderne e popullit shqiptar, veçmas nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë së cunguar, ka shumë personalitete kombëtare që i dhanë historisë sonë, por që emrin shqiptar e lartësuan si kuptim jo vetëm fisnor, jo vetëm si pjesëtar i kombit të vuajtur, të sakrificave, qëndresës dhe krenarisë para qytetërimit modern. Një ndër personalitetet më emblematike, më universale, më kuptimplotë jo vetëm në rrafshin e mendimit e veprimit, por edhe të filozofisë politike, të filozofisë së lirisë, është Adem Demaçi. Demaçin e quajtën Mandela i Kosovës, Drajfusi i Kosovës, Simboli i qëndresës, Simboli i ribashkimit kombëtar, por Demaçi nuk është i jashtëzakonshëm vetëm në fushën kombëtare, të luftës për çlirim të popullit të Kosovës nga sundimi serb-jugosllav, por ishte dhe është i veçantë, shumëdimensional dhe reflektues edhe në rrafshin e ideve të filozofisë politike, letrare dhe atyre humaniste, që i tejkalon kufijtë e shqiptarisë. Demaçi, pra, ky Institucion i Qëndresës sonë Kombëtare. Personalitet i cili i dha shpirt e forcë popullit tonë edhe atëherë kur të bëhej se edhe Zoti na ka harruar, është një vlerë universale e historisë moderne të kombit shqiptar. Demaçi ishte ai i cili pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ishte ndër atdhetarët e parë që nga paraardhësit e Atdhetarisë Shqiptare e mori flamurin e betejës së popullit të Kosovës dhe vëllezërve tanë në trevat etnike të ish-Jugosllavisë, për çlirim nga sundimi serbjugosllav, përkatësisht për bashkimin e Kosovës me Atdheun mëmë, Shqipërinë. Demaçi, përmes Programit politik, kombëtar të hartuar më 1963 në Lëvizjen Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, paralajmëroi se është institucion kombëtar, sepse, në periudhat më të vështira të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë, u ngrit mbi të gjitha stuhitë e kohës. Falë guximit të papërsëritshëm, falë vendosmërisë e cila e karakterizon vetëm atë, falë urtisë njerëzore deri në kufijtë biblikë, Demaçi bëri që nga disidenti dhe kryengritësi shqiptar i viteve ‘60, ‘70, të arrijë që në vitin 1998 të jetë Përfaqësues politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së së lavdishme me seli në Prishtinë. Derisa pushka e trimave të UÇK-së jehonte nëpër fushëbetejat e Kosovës, Demaçi nga Prishtina porosiste diplomatët e qendrave botërore të vendimmarrjes: ”… ne jemi të gatshëm ta çojmë deri në fund luftën tonë për liri e pavarësi!” Gjithsesi, shkruesit e historisë politike, kombëtare të Demaçit do t’i gjejnë vend në kujtesën historike dhe fjalisë së Demaçit thënë mikes amerikane të popullit shqiptar, në vitin 1999, Sekretare amerikane e 358 Shtetit, zonjës Medlin Albrighte: “Ne nuk do të heqim kurrë dorë nga ëndrra për të qenë të lirë!” Ndërkaq më 2 janar 1999 deklaronte: “…meqë ne nuk kemi ku të shkojmë – ka ardhur puna: të jemi a të mos jemi fare?!” Kështu fliste Adem Demaçi, kur në fushëbetejat e Kosovës dhe në tavolinat diplomatike të botës po ripërcaktohej fati i Kosovës. Demaçi e ndiente në shpirt frymëmarrjen e popullit, bir i të cilit ishte dhe do jetë përgjithmonë. Madhështia e Demaçit ishte dhe do të ngelë përherë, sepse ai e njohu dhe e pranoi vetëm një rrugë: progresin dialektik, shoqëror dhe jo filozofinë e pritjes, jo lëmoshën, dhe, aq më pak, jo mëshirën kur ishte fjala për lirinë tonë kombëtare. Demaçi, në paragrafët e Programit politik të LRBSH-së, që në vitin 1963 saktësonte se, liria nuk falej, ajo fitohej dhe se lirinë duhet merituar. Prandaj, Demaçi me bashkëmendimtarët dhe bashkëpatriotët e kohës, pikërisht në Programin politik të Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve paralajmëronin: ”…Lufta jonë ka me qenë e gjatë… Na duhet të ngrihemi të gjithë, t’i dalim anmikut ballëpërballë dhe të luftojmë me te për jetë a vdekje!” Vizioni kombëtar i Demaçit u ngrit mbi filozofinë e tij politike e cila ngërthen tri ide themelore: – idenë e kombit, – idenë e lirisë dhe – idenë e barazisë. Prandaj, siç vërejnë edhe studiuesit e tjerë, “liria e individit dhe liria e përgjithshme janë strumbullari i filozofisë politike të Adem Demaçit”. Ajo filozofi politike, e cila ishte lajtmotivi i rrugëtimit të Demaçit, i dha atij vendin e merituar në historinë tonë më të re, dhe njëherazi i mundësoi që në çdo kthesë të madhe kombëtare të jetë një shërbëtor fisnik i popullit. Vet, Adem Demaçi, e kishte thënë: “Jam bir dhe ushtar i vogël i popullit tim të madh!” Le të jetë përgjithmonë ashtu, siç, e ka thënë Baca Adem.

Shqiptarët edhe pse u rreshtuan në krah të aleancës botërore antifashiste, Lufta e Dytë Botërore nuk u solli zgjidhje të drejtë, të merituar dhe paqësore. Shqipëria me dëshirën e saj ose pa të, pra edhe si rezultat i Luftës së Ftohtë, qash gjatë Luftës së Dytë Botërore ra në orbitën gjeopolitike të Lindjes. Shqipëria më 1945 kishte ngelur në po të njëjtët kufij të vitit 1913, Kosova u ripushtua nga serbët, jugosllavët, shqiptarët në trojet etnike në Maqedoni ngelën nën pushtimin e sllavëve maqedonas, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi poashtu ngelën nën sundimin e malazezëve jugosllavë. Filloi epoka e totalitarizmit, Lufta e Ftohtë, Perëndim – Lindje jo vetëm se e defaktorizoi kombin shqiptar, por pjesë të tij i la në harresë, nën pushtimet e sllavëve. Greqia, edhe me përkrahjen e Anglisë, vazhdonte t’i pretendonte hapur territoret e jugut të Shqipërisë, ndërsa Perëndimi kundërshtonte vendosmërisht anëtarësimin e Shqipërisë në OKB, duke e lënë të hapur mundësinë se mund të diskutohej pavarësia edhe e asaj gjysmë Shqipërie!

Edhe pas vitit 1945, mbi popullin e Kosovës po rëndohej sundimi, pushtimi i egër sllav. Asnjë zë mbështetjeje nga kancelaritë diplomatike evropiane dhe ato të Perëndimit, përkundrazi, çështja shqiptare u viktimizua në marrëveshgjet e fshehta midis Perëndimit dhe Lindjes! Shqipëria e gjetur në fillimin e izolimit të hekurt perëndimor nuk mund t’i delte krah Kosovës, sepse po luftonte për ta ruajtur integritetin, edhe ashtu të nëpërkëmbur, të cenuar territorial. Populli i Kosovës dhe përgjithësisht shqiptarët e mbetur nën sundimin jugosllav vazhduan t’i nënshtrohen pushtimit barbar të serbëve, maqedonasve, malazezëve dhe të sllavëve të tjerë, duke kështu qenë  në rrezik edhe mbijetesa e qenies sonë kombëtare. Megjithatë, populli shqiptar, në radhë të parë Kosova trime, nuk u nënshtrua, por e vazhdoi rezistencën kombëtare, si dikur Isa Boletini, Azem Bejta, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Shaban Polluzha dhe atdhetarë të tjerë. Edhe pas vitit 1945, shpirti kryengritës, liridashës i popullit të Kosovës rilindi, duke vazhduar traditën e atdhetarisë. Ndër atdhetarët e orëve të para të historisë së re të qëndresës sonë kombëtare, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, krahas NDSH-së,  ishte Adem Demaçi me shokët e idealit, me shokët e guximit, të cilët ishin betuar para Flamurit të Skënderbeut. Në historinë e rezistencës dhe të çlirimit të Kosovës, në veçanti në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare, Demaçi reflekton më shumë se simbolikë, është më tepër se metaforë politike e atdhetarisë shqiptare, është shpirti, kuptimi, ideali i historisë së Lëvizjes Atdhetare Shqiptare e të kohërave moderne, e cila Lëvizje, si qëllim madhor e kishte Bashkimin e Kombit. Pra, që në vitet e rinisë së tij, Demaçi e përpiloi doktrinën për krijimin e shtetit etnik të shqiptarëve. Më 29 maj 1963, ndër të tjera e bënte kushtrimin skënderbegian:  ”Vllazni e motra… Në emën të nji milion shqiptarëve që rënkojnë të robnuem…të bashkohemi të gjithë nën Flamurin e Skenderbeut dhe ta realizojmë ma në fund andrrën tonë shekullore…bashkimin kombëtar!” Demaçi si nga dimensioni kombëtar, historik dhe ai politik është institucion kombëtar. Në fakt, Demaçi, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore ishte ndër atdhetarët e parë, i cili nga paraardhësit e Atdhetarisë Shqiptare, e mori flamurin e betejës së popullit të Kosovës jo vetëm për çlirim nga sundimi serb-jugosllav, por ishte i pari dhe më i guximshmi që idealin e shqiptarëve ta sublimojë, ta shpallë (9 shtator 1963) përmes Organizatës patriotike, Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve.

Mendimi, vizioni i tij, filozofia e tij  politike, kombëtare nisej nga premisa e filozofisë kantine: “Ke guxim t’i shërbesh arsyes tënde!” Arsyeja e patriotit Adem Demaçi nënkuptonte: Atdheu mbi të gjitha! Idealizmi, zgjuarsia e tij politike, edukimi kombëtar i mundësuan një varg pyetjesh hamletiane, siç ishin: Përse aleatët antifashist anglo-amerikanë nuk i njohën vendimet e Konferencës së Bujanit, përse e heshtën ripushtimin e Kosovës nga sundimtarët serbë, përse pas vitit 1945 i njohën kufijtë Versajan të Jugosllavisë mbretërore dhe të asaj Avnojiane, përse mbi bazën e Kartës së Atlantikut popullit të Kosovës nuk ia pranua e drejta në vetëvendosje?! Gjithsesi, në edukimin e tij kombëtar, atdhetar, veç frymëzimit të historisë së qëndresës, ai e kishte në mendje e në shpirt përmbajtjen, vendimin e Nenit të parë të Programit të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës dhe të Dibrës aprovuar më 30 gusht 1920, ku bëhej thirrje: ”Me i dalë zot vetsundimit e tanësisë tokësore të Shqipnisë!” E kishte në mendje edhe Pikën 4 të Vendimit të Kongresit të NDSH-së mbajtur më 25 qershor 1945 në Lipovicë, ku jepej betimi: ”Që Shqipëria të formohej si shtet demokratik në të gjitha territoret etnike shqiptare…” Demaçit, në ato kohëra, kur populli shqiptar sërish gjendej para përballjeve dhe thirrjeve të historisë, po i vinte frymëzimi edhe nga idetë kombëtare, politike të mësuesit të Ilegales shqiptare në Kosovë, Metush Krasniqi, i cili ishte themelues, ideolog dhe prijës i Organizatës Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin Amë, e themeluar në pranverën e vitit 1957.

Janë tri ide themelore, të filozofisë politike të Demaçit, siç specifikon, veprimtari dhe studiuesi Sabri Kiçmari: ideja e kombit, e lirisë dhe  e barazisë. Me të drejtë, gjatë historisë së tij politike, kombëtare, gjithnjë përmes ideve, ai luftoi për liri dhe kundër robërisë,  për baraza mes individëve, kundër pabarazisë mbi bazat racore dhe etnike, luftoi kundër dhunës serbe duke kundërshuar çdo ide për hakmarrje. Gjithashtu, Demaçi është më specifik nga shumë veprimtar të përndjekur, arrestuar, burgosur të periudhave të Luftës së Ftohtë, sepse, si një intelektual shqiptar luftoi për lirinë e individit, të popullit shqiptar, jashtë kornizave të ideologjive nacionale. Lirinë e individit, Demaçi e sheh si kusht për lirinë e përgjithëshme të njerëzimit, gjithnjë, në periudhat e sotme të postmodernës dhe të epokës së globalizimeve. Demaçi, e mbronte filozofinë politike për shtetin qytetar, të liruar nga çdo paragjykim i idelogjive kombëtare, veçmas, nga ideologjitë nacionaliste, ekspansioniste, raciste. Pikërisht mbi këtë djep të ideve filozofike, pra, të shoqërive qytetare, Demaçi u bënte thirrje edhe pushtetarve dhe regjimeve në Serbi që, sa më parë të lirohen nga miti i rrejshëm për Kosovën, nga paragjykimet për racën shqiptare dhe nga politkat e imperializmit serbomadh, kundrejt terrioreve, hapësirave jetike shqiptare. Madje, pikërisht duke trajtuar politkat shoviniste të regjmeve serbe, Demaçi edhe në paraqitjet e tij para publikut serb dhe atij evropian, vazhdimisht proklamonte se, liria është e mundur vetëm e vetëm përmes arsyes.

Ishte Demaçi, i vetmi personalitet politik shqiptar i cili, sikur në vitet e pushtimit, ashtu edhe pas pavarësisë së Kosovës, kërkonte që, çdo udhëheqje e  Republikës së Kosovës t’i vendos urat e dialogut me pakicën serbe në Kosovë! Për Demaçin, pra edhe në rrafshin e ideve shqiptare,  liria  nuk është asgjë tjetër, përveçse, hapësirë brenda së cilës çdo individ, pavarësisht përkatësisë racore, etnike, ideologjike  mund të veprojë pa u penguar nga tjetri. Me të njëjtën filozofi, si qytetar dhe mendimar i lirë, Demaçi lufton për parimet themelore të respektimit të drejtësisë, si vlerë universale e çdo qytetërimi. Demaçi, në kohë dhe në hapësirë, e kishte ndërtuar një sistem të vetin të mendimit politik, duke mos rënë në kurthet e elitizmit, duke mos pranuar të krijonte distancë, klasore, ideologjike, kulturore  nga masat e gjera, nga populli, të cilin koncept asnjëherë nuk e fetishizoi. Luftën e popullit shqiptar në ish Jugosllavi, për çlirim, asnjëherë nuk e ideologjizoi! Prandaj, asnjëherë nuk aspiroi pushtet, ngase e dinte se, po të kishte sado pak pushtet,  Demaçi, rrezikonte  të mveshej me prangat e atij pushteti, do ta humbiste lirinë e fituar, pikërisht, sepse, duke qenë i burgosur, e luftoi çdo  pushtet, si aparat për sundimin e masave. Prandaj,  historia do ta njeh Demaçin si, ideologun e rezistencë shqiptare të shek. XX-të, i cili, edhe nga burgu, e mbajti gjallë idealin e çlirimit, lirisë, gjithnjë e gjithmonë, përmes luftës çlirimtare!

 

Nga epoka e Adem Demaçit tek epoka e Adem Jasharit

Demaçi, i dënuar tri herë me burg, dënimin dhe burgun i ndiente, siç e thoshte, si detyrë dhe si borxh ndaj Atdheut. Prandaj, ata të cilët kishin thënë se Demaçi para burgut është një herë udhëheqës i shqiptarëve, kurse pas vuajtjes së burgut është dy herë udhëheqës, prijës i shqiptarëve, gjithsesi kishin pasur të drejtë.  Me mendimin, vizionin e tij politik, kombëtar, Demaçi, ai luftëtar fisnik që nga  vitet ‘50, përkatësisht ‘60, ‘70, ‘80, ‘90 dhe deri në çlirimin e Kosovës, ishte shndërruar në popull, për t’u bërë pastaj dritë dhe shpirt i Lëvizjes sonë Kombëtare, e cila kulmoi dhe shpërtheu me luftën dhe fitoren e Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ideali, guximi, vizioni kombëtar, lufta e UÇK-së i bashkoi në një front dhe në një epokë të përbashkët të historisë së çlirimit, të lirisë, Adem Jasharin dhe Adem Demaçin.

Epoka e ndritur e Adem Demaçit u bashkua në një vision kombëtar me Epokën e kryekomandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jasharit.  Bashkimi i këtyre dy epokave  kombëtare, nuk është as koinçidencë e as rastësi, por,  fryt, rezultat i dialektikës së mendimit të atdhetarisë shqiptare, i shpirtit të papërkulur kombëtar,  mbi të gjitha,  ishte flakadan i Lëvizjës sonë Kombëtare për çlirimin e Kosovës nga sundim serb/ jugosllav.  Për më tepër, epoka e Adem Demaçit ishte vazhdimësi e epokës së tribujve, kolosëve të Lëvizjës sonë Kombëtare, me ideologun e saj, Hasan Prishtinën, që mori hov nga viti 1912. Ndërsa, Epoka e Adem Jasharit, Epoka e UÇK-së së  përndritur, ishte vazhdimësi, kurorëzim i lavdishëm i betejave titanike të Lëvizjës sonë Kombëtare, me ideologun e saj shpirtëror, filozofofik, atdhetar, Adem Demaçin. Në nëntorin e tretë shqiptar, të vitit 1998, në zemër të Dardanisë, në Drenicë, djepin e kryengritjeve shqiptare, nipat dhe stërnipat e Hasan Prishtinës, Azem Bejtës, Bajram Currit, Ismail Qemalit, Çerçiz Topullit, me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e bën histori, idealin e shenjtë kombëtar, të Adem Demaçit dhe brezit të tij! Djemt e UÇK-së, i dolën përpara historisë, u lind, Ushtria  Çlirimtare e Kosovës, nderi, krenaria, më e ndritur e popullit të Kosovës, në shekullin e XX-të.  Kryeideologun shpirtëror të Lëvizjës moderne për çlirimin e Kosovës, pavarësinë e saj, bashkimin  me Atdheun në kufi, Adem Demaçin dhe  Kryekomandantin e  UÇK-së, Adem Jasharin i bashkoi historia e lirisë, një i njëjti ideal i Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit me bashkëluftëtar!  Lavdia e historisë, bëri që, Adem Demaçi, në zjarrin e historisë së përgjakur t’ia dorëzonte, Adem Jasharit  idealet e brezit të vetë, dhe t’i thoshte: Kryekomandant, jam ushtar i popullit tim, i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës! Çfarë madhështie dhe njëherazi modesti e Adem Demaçit, mendimi politik i të cilit e shënoi epokën e rezistencës sonë kombëtare  dhe përgatitjen, jo vetëm shpirtërore, për kryengritjën mbarëpopullore dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Në radhë të parë ai realitet historik, politik, kombëtar ishte rrjedhojë e historisë së Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës. Mendimi, filozofia politike, kombëtare e Demaçit, pra e ideologut, e frymëzuesit shpirtëror, jo vetëm e  Organizatës LRBSH ishte shumë e qartë dhe e drejtpërdrejtë kur ishte fjala për strategjinë e çlirimit nga sundimi serb-jugosllav dhe i bashkimit me Atdheun Mëmë, Shqipërinë: 1. Lufta e jonë ka me qenë e gjatë… 2. Lufta e jonë duhet të përfshijë në gjiun e vet të gjitha shtresat dhe mbarë popullin tonë. 3.Lufta e jonë duhet të zhvillohet në pajtim me kushtet e rrethanat… brenda popullit tonë, në pajtim me kushtet e rrethanat të cilat mbretërojnë në Shqipni… 4. Lufta jonë duhet – kryesisht-të mbështetet në forcat tona të brendshme…”.

Demaçi, ai Flamurtar i Atdhetarisë së shqiptarëve të Kosovës, e qartësonte pozicionin e tij dhe të grupeve atdhetare me qëndrimin se zgjidhjen e çështjes kombëtare duhet kërkuar në gjirin, në guximin e popullit, në fuqinë e tij morale, në shpirtin e tij të papërkulur, para stuhive të historisë, në vendosmërinë që me jetë a vdekje të arrihej çlirimi, liria dhe bashkimi kombëtar. Demaçi e mbronte pikëpamjen se liria nuk falet, madje as në tryezat e diplomacisë, ajo fitohet, sepse, para së gjithash, lirinë, shtetin, bashkimin kombëtar duhen merituar. Që sot mund të themi se, në historinë shqiptare, Demaçi, i cili, përherë i ngjan një Flamuri të ngritur, është i papërsëritshëm, por jo vetëm për shkak të rrethanave kohë dhe hapësirë. Në radhë të parë, Demaçi është figurë e madhe e kombit, është institucion kombëtar, sepse, në periudhat më të vështira të rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë, u ngrit mbi të gjitha stuhitë e kohërave politike. Falë guximit të papërsëritshëm, falë vendosmërisë, e cila i karakterizon vetëm personalitetet në nivel të historisë botërore, falë urtisë njerëzore deri në kufijtë biblikë, ai arriti që nga disidenti dhe kryengritësi shqiptar i viteve ‘50, ‘60, ‘70, ’80, ‘90 të arrijë që në vitin 1998 të jetë  Përfaqësues i përgjithshëm politik i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me seli në Prishtinë. Derisa pushka e trimave të UÇK-së jehonte nëpër fushëbetejat e Kosovës, Demaçi nga Prishtina porosiste: “…ne jemi të gatshëm ta çojmë deri në fund luftën tonë për liri e pavarësi…!”

Ishte po ai zë i guximshëm i Demaçit sikur në vitet ‘50, ‘60 ‘70, ’80,‘90, zë politik, kombëtar, i cili i mobilizonte qindra e mijëra shqiptarë që të qëndronin të paluhatshëm, të papërkulur, të patrembur në luftën për çlirim, liri, dinjitet kombëtar, për Republikën e Kosovës, Bashkimin Kombëtar. Demaçin e quajtën Mendela i Kosovës, Drajfusi i Kosovës, Simboli i qëndresës, Simboli i Ribashkimit Kombëtar, por Demaçi nuk është figurë e jashtëzakonshme vetëm në rrafshin kombëtar, të luftës sonë për liri dhe për çlirim.

Me idetë e tij për të drejtat universale, me pikëpamjet se liria nuk është privilegj i asnjë kombi, me qëndrimin e palëkundur për ta humanizuar filozofinë politike moderne shqiptare, Demaçi i ka tejkaluar kufijtë e një tribuni kombëtar, duke i bërë nder kombit shqiptar, që sot mund ta quajmë, pse jo, edhe Haveli shqiptar! Demaçi, ky Hero i Kosovës, i cili i bashkon epokat e rrugëtimit tonë nga robëria deri në themelimin e shtetit të Kosovës, dhe gjithsesi edhe drejt ribashkimit kombëtar, kishte pasur guximin që, menjëherë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, t’i kundërvihej aparteidit serbo-jugosllav, mbi popullin shqiptar. Atëherë, pra, kur Demaçi atdhetar dhe disident shqiptar i përmasave evropiane përndiqej nga regjimi serbo-jugosllav, pra edhe nga udhëheqësit e atëhershëm komunistë të Kosovës, populli ynë po e vazhdonte betejën për jetë a vdekje, për çlirim. Edhe nga qelitë e burgjeve serbe, porosiste: “ Mjerë ju, që kaq shumë ju ka lodhur robëria dhe nuk po e hetoni!” Demaçi, të cilin në rrugëtimin e tij deri në shpalljen e Republikës së Kosovës, një prej idealeve të tij madhore, e kishte shoqëruar filozofia hemletiane “të jesh a të mos jesh”, është ngritur mbi të gjitha situatat, duke u dëshmuar guximtar, i vendosur, i urtë, i papërkulur, i drejtë dhe në rast që kërkohet, edhe falë.

Demaçi ishte ai që, kur doli nga burgu, në vitin 1990, pranoi të bashkëpunonte politikisht edhe me ata, të cilët, kur ai ishte i dënuar për herë të tretë, në vitin 1975, kishin qenë udhëheqës politikë në Kosovë. Në vend të hakmarrjes primitive predikoi pajtimin kombëtar, paqen dhe harmoninë midis shqiptarëve dhe të tjerëve! Vitet kur Demaçi ishte Përfaqësues politik i SHP të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë një prej epokave më të ndritshme të veprimtarisë së tij atdhetare. Më 29 tetor 1998, në takimin me ambasadorët Hill dhe Petriç, Demaçi u kishte thënë: ”UÇK-ja është bartëse kryesore dhe vendimtare e luftës çlirimtare në Kosovë… Asesi nuk bën as të provokohet as të anashkalohet…!” Ndërsa fjalia e tij e thënë në epokën e UÇK-së “… ne jemi të gatshëm ta çojmë deri në fund luftën tonë për liri e për pavarësi…”, kishte bërë jehonë të madhe, duke e ngritur moralin për luftë gjithëpopullore dhe për çlirim. Prandaj thoshte: ”…UÇK-ja, e cila lindi nga gjiri i këtij populli nuk mund të asgjësohet derisa të jetë populli ynë gjallë dhe i fortë… UÇK-ja është e gjallë, e fortë dhe e konsoliduar”.

Natyrisht, historia do të vlerësojë se Demaçi nuk e kishte pasur të lehtë, kur në bisedë me Sekretaren amerikane të Shtetit dhe miken tonë, Medlin Ollbrajt, në kulmin e luftës së Kosovës, ndër të tjera t’i përgjigjej. “Ne kurrë nuk do heqim dorë nga ëndrra për të qenë të lirë!” I bindur në filozofinë e lirisë së popullit tonë, se lufta për çlirim është luftë e drejtë, se UÇK-ja zhvilloi luftë çlirimtare, më 2 janar 1999 kishte deklaruar: “…meqë ne nuk kemi ku të shkojmë, ka ardhur puna: të jemi a të mos jemi fare”!

I edukuar të jetë fitues dhe të mos e pranojë asnjëherë humbjen, Demaçi, ai zjarr i ngritur nga hiri i betejave të parreshtura kombëtare ishte në kërkim të vlerave universale, duke mos u mjaftuar vetëm me lirinë e kombit tonë. Prandaj, në fjalimin e tij me 10 dhjetor 1991, në Parlamentin Evropian, kishte kërkuar”… që ta krijojmë një botë në të cilën të gjithë njerëzit do të jetojnë pa frikë, pa privime dhe me të drejta të barabarta njerëzore e kombëtare”. Sot, dhe veçmas nesër, shqiptarët do të jenë të nderuar për këto thirrje aq fisnike dhe qytetëruese, parasëgjithash, thirrje këto, kombëtare  të cilat, Demaçi ynë i ka shpallur para civilizimeve të sotme dhe përplasjeve të epokës së globalizimeve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Atleti Erzen Zyberaj do të vrapojë nga Prishtina deri në…