“Final 8” i Kupës, sivjet më i veçantë
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe KB Golden Eagle Ylli kanë paralajmëruar se në Therandë nga 28 shkurti deri më 4 mars do të ketë spektakël basketbolli në kuadër të “Final 8” të Kupës së Kosovës. Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka thënë se sivjet “Final 8” i Kupës do të jetë më i veçantë.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe KB Golden Eagle Ylli e kanë nënshkruar kontratën në të cilën përshkruhen në hollësi obligimet e organizatorit të “Final 8” që këtë vit është skuadra nga Theranda. “Final 8” i Kupës së Kosovës do të zhvillohet prej 28 shkurtit deri më 4 mars në palestrën “13 Qershori” në Therandë.
Kryetari i KB Golden Eagle Ylli, Naim Berisha, bëri me dije se skuadra e Yllit njihet për organizime të mira, kurse pret shikues në numër të madh në mënyrë që kjo ngjarje të bëhet më madhështore. “Klubi Golden Eagle Ylli ka dëshmuar në vitin 2015 se është i denjë për organizime të tilla, por me formatin e ri do të kemi më shumë obligime dhe përgjegjësi, por zotohemi se do t’i kryejmë të gjitha punët që dalin nga kontrata dhe udhëzuesi për organizimin e ‘Final 8’. Presim shikuesit të jenë në numër sa më të madh dhe që gjithçka të frymojë në mënyrë sportive. Ne si organizator në bashkëpunim me FBK-në do të bëjmë përpjekje maksimale që kjo ngjarje të kalojë në mënyrën më të mirë të mundshme që KB Golden Eagle Ylli të mbahet mend për organizime të shkëlqyeshme”, ka thënë ai.
E pranishme në nënshkrimin e marrëveshjes ishte edhe sekretarja e përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e cila bëri me dije se FBK-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për “Final 8” të Kupës së Kosovës, e cila është ndër ngjarjet më të rëndësishme për këtë vit. “Kupa e Kosovës për herë të parë do të organizojë me këtë format. Ne besojmë se Ylli do t’i kryejë të gjitha obligimet që i ka në bazë të kontratës dhe do të organizojë këtë ngjarje, e cila besojmë se do të jetë madhështore. Jemi të bindur se për këto katër ditë do ta kemi rastin të shohim basketboll cilësor, i cili do t’i kënaqë të gjithë adhuruesit e basketbollit”, ka thënë Dushku.
FBK-ja ka paraparë që më 28 shkurt të luhen dy ndeshje çerekfinale, Rahoveci-Kerasan Prishtina dhe Golden Eagle Ylli-Borea, kurse më 1 mars zhvillohen dy takimet e tjera çerekfinale, Sigal Prishtina-Kalaja dhe Bashkimi-Trepça. Më 2 mars do të zhvillohen ndeshjet gjysmëfinale, kurse më 4 mars finalet në të dyja konkurrencat. Ceremonia hapëse e “Final 8” të Kupës së Kosovës do të bëhet të mërkurën.
Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)