Finalet e Kupës së Kosovës zhvillohen në stadiumin ‘Fadil Vokrri’
Ndeshjet finale të Kupës së Kosovës në futboll në të dyja konkurrencat do të zhvillohen në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të enjten më 26 maj, ky stadium do të jetë arenë e përballjes ndërmjet Llapit dhe Dritës dhe atë nën dritën e reflektorëve, pasi ndeshja do të luhet nga ora 20:00. Këto dy skuadra nuk e arritën objektivin e titullit kampion, prandaj synojnë që edicionin ta përmbyllin me një trofe.
Kjo përballje pritet me interesim të madh nga tifozeritë e të dyja ekipeve, andaj edhe spektakli në tribuna nuk do të mungojë. Mjaft interesante kësaj radhe do të jetë edhe finalja në konkurrencën e femrave, ku të premten më 27 maj, në orën 17:00, do të ballafaqohen dy ekipet më cilësore, Ep-Com Hajvalia dhe Mitrovica. Edhe në këtë finale pritet rivalitet i madh në fushë, por edhe në tribuna.