Finalizohet kërkesa për reformën e administratës publike me Komisionin Evropian
Pas një procesi gjithëpërfshirës të konsultimeve dhe kontributeve nga Zyra e Kryeministrit si dhe Ministria e Integrimit Evropian, Ministria e Administratës Publike ka finalizuar kërkesën për këstin e parë prej 5.5 milionë euro nga kontrata për reformën sektoriale për reformën e administratës publike, e cila është nënshkruar midis Kosovës dhe Komisionit Evropian vitin e kaluar.
Kërkesa e finalizuar i është dorëzuar zyrtarisht të hënën ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, për ta deponuar tek Komisioni Evropian.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka deklaruar se me miratimin e projektligjit për pagat, projektligjit për zyrtarët publik si dhe projektligjit për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura, si dhe me ndërmarrjen e hapave të parë drejt zbatimit të procesit të racionalizimit të agjencive të pavarura, Kosova ka plotësuar kushtet kryesore për të dorëzuar Komisionit Evropian kërkesën për këstin e parë prej 5.5 milionë euro nga kontrata për reformën sektoriale për reformën e administratës publike.
Ministri Yagcilar ka thënë se nënshkrimi dhe fillimi i zbatimit të kontratës për reformën sektoriale për reformën e administratës publike shënon një arritje të rëndësishme për procesin e reformës së administratës publike si dhe avancon marrëdhëniet midis Kosovës dhe BE-së në fushën e administratës publike.
“Kjo kontratë është tregues i arritjeve të Kosovës dhe besimit që Komisioni Evropian ka në kapacitetet e Qeverisë së Kosovës për të menaxhuar një kontratë të tillë”, ka thënë ministri Yagcilar.
Kontrata për reformën sektoriale për reformë në administratë publike është një instrument i ri që përdor Komisioni Evropian për të nxitur dhe mbështetur reformat në vendet e Ballkanit Perëndimor.
Shuma e përgjithshme e kontratës është 25 milionë euro, ndërsa Kosova mund të përfitojë çdo vit deri në 5.5 milionë euro nëse arrin t’i plotësoj kushtet e dakorduara përmes kontratës.
Buxheti përkatës disbursohet drejtpërdrejt në thesarin kombëtar të Kosovës duke i mundësuar Qeverisë burime të reja financiare për të financuar reformat dhe politika zhvillimore.
/Epoka e re/