Finalja, mision ‘i pamundur’ për Liverpoolin
Kualifikimi në finale duket mision ‘i pamundur’ për skuadrën e Liverpoolit, e cila pësoi humbje në ndeshjen e parë gjysmëfinale nga Barcelona (3-0).
Përveç diferencës së madhe të golave, skuadra e Liverpoolit për ndeshjen kthyese ka probleme të mëdha edhe me lëndime pasi Naby Keita, Roberto Firmino dhe Mohamed Salah janë të lënduar. Ndërsa edhe Adam Lallana nuk ka luajtur nga muaji mars me arsye ende të pazbuluara.
“Ne do të provojmë ta fitojmë ndeshjen. Nëse në ndonjë moment specifik ata na japin mundësinë për të shkuar tutje në raundin tjetër ne do ta provojmë. Së bashku me tifozët tanë ka qenë një edicion i gjatë. Ka pak shanse që të bëhet më i gjatë, por këto janë dy ndeshjet e fundit (duke përfshirë edhe atë ndaj Wolverhamptonit në Premierligë) në shtëpi të një edicioni të jashtëzakonshëm. Rezultati në Barcelonë nuk na ndihmoi shumë, të jem i sinqertë. Ne provuam shumë që të shënonim. Ne e kemi atë rezultat dhe duhet të pajtohemi me këtë. Le ta provojmë me gjithçka që kemi”, ka deklaruar Jurgen Klopp.
Mungesat e shumta në formacionin e trajnerit Jurgen Klop mund të jenë pozitive për shqiptarin Xherdan Shaqiri, i cili mund të ketë rast të luajë në këtë ndeshje shumë të rëndësishme për klubin dhe një rast për të dëshmuar vetën para trajnerit Klopp. Në anën tjetër, Barcelonës do t’i rikthehen në formacionin bazë lojtarët kryesorë të cilët u pushuan në ndeshjen e fundjavës ndaj Celta Vigos, kurse Ousmane Dembele është lojtari i vetëm që është në dyshim për këtë ndeshje.
/Epoka e re/