‘Financial Times’: Gjendja e rëndë e Sandulloviqit hedh hije mbi regjimin e Vuçiqit

12 janar 2024 | 15:55

Kur politikani i opozitës serbe, Nikolla Sandulloviq, ka postuar një video duke kërkuar falje për krimet e luftës të vendit të tij në Kosovë, policia sekrete e ka arrestuar dhe rrahur, sipas avokatëve dhe familjes së tij.

Sandulloviq ka pretenduar se më 3 janar një furgon i zi është tërhequr në shtëpinë e tij dhe e ka çuar në selinë e Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë (BIA), ku ai ka thënë se është rrahur nga rreth 15 agjentë të qeverisë. Ai është kthyer të nesërmen në një gjendje kritike dhe është shtruar në spital për pak kohë përpara se të transferohej në burg dhe të shkëputej nga bota e jashtme, raporton “Financial Times”

Ekipi ligjor i Sandulloviqit në Beograd dhe Londër e ka paraqitur një ankesë në komitetin e OKB-së kundër torturës në fillim të kësaj jave, duke pretenduar se klientit të tyre iu mohua procesi i rregullt ligjor ose kujdesi i duhur mjekësor dhe se jeta e tij mund të jetë në rrezik.

BIA ka konfirmuar se Sandulloviqi është në paraburgim me akuzën e nxitjes së urrejtjes etnike, por mohoi se ndaj tij ishte ushtruar ndonjë dhunë.

Gjendja e tij ka hedhur një hije mbi sundimin e presidentit nacionalist Aleksandër Vuçiq, rizgjedhja e fundit e të cilit ka nxitur protesta të gjera kundër mashtrimit të pretenduar zgjedhor dhe një rrëshqitje drejt autokracisë. Brukseli dhe Londra i kanë kërkuar qeverisë së tij më shumë informacion rreth incidentit.

Sandulloviq, një ish-agjent i sigurisë, është një figurë e vetmuar në Serbi në thirrjen që vendi i tij të njohë Kosovën si një komb sovran. Ish-krahina është shkëputur pas një lufte në 1999, por Beogradi nuk e ka njohur kurrë pavarësinë e saj.

Më 2 janar, Sandulloviq ka postuar një video në “X” duke vendosur lule te varri i familjes së njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila udhëhoqi luftën e rezistencës kundër sundimit serb dhe të cilën Beogradi e ka etiketuar si organizatë terroriste.

Në postimin e tij në rrjetet sociale, Sandulloviq ka thënë se ai ishte “i vetmi politikan nga Serbia që erdhi për të nderuar viktimat e pafajshme shqiptare… Unë kërkova falje dhe kërkova falje në emër të serbëve që nuk e bënë këtë”.

Aleksandër Vullin, i cili kohët e fundit dha dorëheqjen si shef i BIA-s pasi është sanksionuar nga ShBA-ja për lidhje me qeverinë ruse, si dhe kontrabandë armësh dhe droge, ka marrë përgjegjësinë për urdhërimin e arrestimit të politikanit.

Të mërkurën, shërbimi ka pranuar se kishte marrë në pyetje Sandulloviqin, por ka thënë se ai “nuk i ishte nënshtruar ndonjë përdorimi të paligjshëm të forcës fizike ose shkeljes së lirisë dhe të drejtave”. BIA ka dashur vetëm të “zbardhë kontekstin e veprimeve të paligjshme të Sandulloviqit, të cilat prokurori kompetent i ka klasifikuar si vepër penale… duke nxitur urrejtje dhe intolerancë kombëtare, racore dhe fetare”.

Shërbimi ka thënë se raportet e agjentëve të tij që e kishin rrahur atë ishin të rreme dhe kishin për qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në vend.

Në detyrë që nga viti 2017, Vuçiq është akuzuar se po bëhet më autoritar dhe se ka bërë pak për të shuar tensionet me Kosovën, të cilat u ndezën në shtator kur një grup militantësh serbë hynë në një përleshje të armatosur në një manastir, duke çuar në katër vdekje. Vuçiqi e dënoi sulmin, por gjithashtu i dha strehë liderit të grupit të armatosur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, javën e kaluar ka thënë se sulmi ishte “i ngjashëm me atë të Putinit ndaj atyre që refuzojnë të marrin pjesë në mohimin e gjenocidit”, duke iu referuar goditjes së presidentit rus ndaj disidencës.

Në një seancë parlamentare në fillim të kësaj jave, sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, i ka përshkruar akuzat e Sandulloviqit si “jashtëzakonisht shqetësuese” dhe tha se ai i kishte kërkuar palës serbe më shumë informacion.

Komisioni Evropian i ka kërkuar gjithashtu Beogradit të shpjegojë se çfarë ka ndodhur. “Ne presim që të drejtat e të gjithë qytetarëve të respektohen. Çdo ndalim duhet të bazohet në dyshime të arsyeshme… dhe çdo akuzë e besueshme për dhunë duhet të ndiqet në mënyrë efektive”, ka thënë zëdhënësja e komisionit, Ana Pisonero. /KlanKosova

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Katër organizata jo-qeveritare, IKD, INPO, FOL dhe YIHR-KS, kanë kërkuar…