Finlanda anëtarësohet në NATO, dyfishohet kufiri i aleancës ushtarake me Rusinë
Finlanda është bërë anëtarja më e re, e 31-ta, e NATO-s, pas mbajtjes së ceremonisë së pranimit në Bruksel të martën, 4 prill, në atë që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e quajti “ditë historike”.
Aplikimi për anëtarësimin e Finlandës në aleancën ushtarake është nxitur nga lufta e Rusisë në Ukrainë, e nisur më 24 shkurt 2022.
Finlanda ndan një kufi të gjatë, prej mbi 1.000 kilometrash, me Rusinë.
“Putini kishte deklaruar se qëllimi i pushtimit të Ukrainës [ishte] të kishte më pak NATO, ai donte më pak NATO përgjatë kufijve të tij, donte ta mbyllte derën e NATO-s. Ai po merr pikërisht të kundërtën”, tha Stoltenberg pas anëtarësimit të Finlandës.
Suedia, po ashtu, ka aplikuar për anëtarësim në NATO, në të njëjtën kohë me Finlandën, mirëpo Turqia është duke e bllokuar me arsyetimin se është duke mbështetur “terroristët”.
Përmes një deklarate, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha se “sot jemi më të bashkuar se kurrë më parë. Dhe së bashku – të forcuar nga aleati ynë më i ri, Finlanda – ne do të vazhdojmë ta ruajmë sigurinë transatlantike, ta mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s dhe t’i kalojmë të gjitha sfidat me të cilat përballemi”.
Si akt të parë pas anëtarësimit, ministri i Jashtëm finlandez, Pekka Haavisto, ia dorëzoi sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, ratifikimin e kërkesës së Suedisë për anëtarësim në NATO.
Pas anëtarësimit, edhe presidenti finlandez, Sauli Niinsto, dha mbështetje për kërkesën e Suedisë për anëtarësim në aleancën ushtarake.
“Anëtarësimi i Finlandës nuk është i plotë pa anëtarësimin suedez. Puna për anëtarësimin e hershëm të Suedisë vazhdon pa pushim”, tha presidenti i Finlandës, Sauli Niinisto, në një konferencë për media pas ceremonisë së pranimit.
Çdo zgjerim i NATO-s duhet të bëhet me mbështetjen e të gjitha vendeve anëtare – pra ratifikimin e aplikimit për anëtarësim me qëllim që të pranohen shtetet e tjera.
Finlanda, Suedia dhe Turqia në qershorin e vitit të kaluar arritën një marrëveshje trepalëshe, por Ankaraja pezulloi negociatat me Suedinë pas një proteste të mbajtur në janar në Stokholm, ku para ndërtesës së Ambasadës turke u dogj një Kuran.
Më saktë, Ankaraja dëshironte që Helsinki dhe Stokholmi të mbajnë qëndrim më të ashpër kundër Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë, si dhe ndaj një grupi tjetër të cilin e fajëson për përpjekjen e vitit 2016 për grusht shteti.
Por, më 9 mars, dy shtetet rinisën bisedimet në Bruksel.
Erdogan tha se anëtarësimi i Suedisë në aleancën ushtarake perëndimore do të varet drejtpërdrejt në masat që ndërmerr sa i përket kërkesave turke lidhur me terrorizmin.
Ankaraja ka refuzuar që të ratifikojë aplikimimin e Stokholmit në NATO, edhe për shkak të refuzimit të Suedisë që të ekstradojë dhjetëra të dyshuar, që Turqia pretendon se janë të lidhur me luftëtarët kurdë dhe me puçin e dështuar të vitit 2016. /REL