Finlanda brenda javësh do të vendosë për aplikimin në NATO
Finlanda pritet të vendosë brenda javësh dhe jo muajsh nëse do të aplikojë për anëtarësim në NATO, ka thënë të mërkurën kryeministrja finlandeze.
Duke folur në Stokholm pas një takimi dypalësh me kryeministren suedeze, Magdalena Andersson, Sanna Marin, ka thënë se do të ishte më mirë të koordinohej me Suedinë për të marrë vendime të ngjashme sigurie.
“Ne duhet të kemi një pikëpamje për të ardhmen dhe po e përdorim këtë kohë për të analizuar dhe gjithashtu për të ndërtuar pikëpamje të përbashkëta për të ardhmen kur bëhet fjalë për sigurinë”.
“Nuk do të jap asnjë lloj orari se kur do të marrim vendimet tona, por mendoj se do të ndodhë mjaft shpejt. Brenda javësh, jo brenda muajve”, ka thënë ajo.
Anderssoni nuk ka shkuar aq larg sa Marin, duke thënë se Suedia ishte ende duke peshuar vendimin dhe ka theksuar se atje ka zgjedhje në shtator, raporton “CNN”.
Kur presidenti rus Vladimir Putin ka filluar sulmin në Ukrainë, qëllimet e tij ishin të qarta. Ai donte të sillte fqinjin e tij në gjunjë, të pohonte autoritetin rus në Evropën Lindore dhe ta bënte Perëndimin të mendonte dy herë për zgjerimin ushtarak dhe politik drejt kufijve të Rusisë.
Por në një aspekt të rëndësishëm, plani i Putinit duket se ka dështuar: Lufta ka bashkuar Perëndimin kundër Moskës në mënyra që dukeshin të paimagjinueshme në janar.
Tani, Finlanda dhe Suedia – kombe që nuk janë zyrtarisht të anëtarësuar – po afrohen gjithnjë e më shumë drejt anëtarësimit në NATO, aleancën ushtarake të udhëhequr nga ShBA-ja.