Finlanda dhe Suedia peshojnë anëtarësimin në NATO
Pushtimi rus i Ukrainës i ka shtyrë Finlandën dhe Suedinë në prag të aplikimit për anëtarësim në NATO dhe braktisjes së besimit të mbajtur prej dekadash se “paqja ruhet më së miri duke mos zgjedhur anë publikisht”.
Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1 300 km me Rusinë dhe Suedia tani duket se kanë më shumë gjasa për t’u bashkuar me NATO-n, për të cilën Rusia ka thënë se do të kishte “pasoja të rënda ushtarake dhe politike”.
Më poshtë janë disa nga çështjet që kanë çuar në një rishikim radikal të politikës dhe cilët mund të jenë hapat e ardhshëm drejt hyrjes në aleancën prej 30 vendesh, të udhëhequr nga ShBA-ja.
Pse Suedia dhe Finlanda nuk janë anëtare të NATO-s?
Të dy shtetet kanë qenë të paangazhuara që nga Lufta e Dytë Botërore, pavarësisht se kanë forca të vogla ushtarake, në krahasim me Rusinë.
Finlanda ka fituar pavarësinë nga Rusia në vitin 1917 dhe ka zhvilluar dy luftëra kundër saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur edhe ka humbur një pjesë të territorit të saj. Finlanda ka nënshkruar një marrëveshje miqësie, bashkëpunimi dhe ndihme reciproke me Rusinë më 1948, duke forcuar shkallën e varësisë ekonomike dhe politike, që e izoloi ushtarakisht nga Evropa Perëndimore.
Fundi i Luftës së Ftohtë, që ka sjellë shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, i ka lejuar Finlandës të dilte nga hija e Rusisë, derisa kërcënimi nga Moska është zvogëluar.
Finlanda është mbështetur në marrëdhëniet miqësore me Moskën për të ruajtur paqen, por me pushtimin rus të Ukrainës, të cilin Moska e ka quajtur “një operacion special ushtarak”, presidenti rus, Vladimir Putin, duket gjithçka tjetër përveçse miqësor.
Suedia nuk ka bërë luftë që 200 vjet dhe politika e jashtme e pasluftës është fokusuar në mbështetjen e demokracisë në nivel ndërkombëtar, dialogun shumëpalësh dhe çarmatimin bërthamor.
Ajo ka dobësuar ushtrinë e saj pas Luftës së Ftohtë, por me shpresën se në rast të ndonjë konflikti, mund ta shtyjë avancimin rus deri në arritjen e ndihmës. Ofensiva e Putinit në Ukrainë e ka bërë garancinë e ndihmës edhe më të domosdoshme, shkruan “Rel”.
Megjithatë, shumë nga e majta në Suedi ende kanë dyshime ndaj agjendës së sigurisë së ShBA-së dhe NATO-s.
Si Finlanda, ashtu edhe Suedia, kanë kaluar nga neutraliteti formal në mosangazhim ushtarak në vitin 1995, kur janë bashkuar me Bashkimin Evropian.
Në vitet e fundit, të dy shtetet janë afruar gjithnjë e më shumë me NATO-n, duke shkëmbyer informacione dhe duke marrë pjesë në stërvitjet e aleancës, në përgjigje të një Rusie gjithnjë e më luftarake.
Anëtarësimi në aleancë do të fuste Suedinë dhe Finlandën nën ombrellën e nenit 5, i cili garanton se një sulm ndaj një aleati të NATO-s është një sulm ndaj të gjithëve.
Sa e gjerë është mbështetja për anëtarësim në NATO?
Sondazhet tregojnë se një shumicë e vogël e suedezëve e duan bashkimin me NATO-n dhe ka një shumicë në parlament që mbështesin aplikimin për anëtarësim.
Social Demokratët e Suedisë, partia më e madhe, që ishte në pushtet për pjesën më të madhe të shekullit të kaluar shihen si pengesa më e madhe për të aplikuar, megjithëse ata po shqyrtojnë kundërshtimet e tyre.
Partia e Majtë suedeze, dikur Partia Komuniste është kundër, si dhe Partia e Gjelbër.
Sondazhi më i fundit, nga transmetuesi privat finlandez “MTV”, ka treguar se 68 për qind e finlandezëve janë në favor dhe vetëm 12 për qind janë kundër anëtarësimit në NATO.
Raportet e mediave tregojnë se shumica e ligjvënësve finlandezë dhe shumica e partive mbështesin anëtarësimin në NATO, me përjashtim të Aleancës së Majtë.
Kur mund t’i bashkohen NATO-s?
Finlanda duket më afër aplikimit për anëtarësim sesa Suedia.
Ka një “opsion” të NATO-s, një lloj plani veprimi që mandaton aplikimin nëse situata e sigurisë përkeqësohet.
Kryeministrja socialdemokrate, Sanna Marin, e cila kryeson koalicionin e qendrës së majtë me pesë parti të Finlandës, dhe presidenti Sauli Niinisto kanë vizituar vende të ndryshme anëtare të NATO-s javët e fundit, për të siguruar mbështetje për një aplikim të mundshëm.
Së fundi, Qeveria e Finlandës përditësoi politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë.
Dokumenti thotë se pushtimi rus i Ukrainës ka ndryshuar thellësisht mjedisin e sigurisë së Finlandës, por nuk ka mbajtur asnjë qëndrim nëse Finlanda duhet të anëtarësohet apo jo në NATO.
Ky dokument do të diskutohet nga parlamenti dhe Marin tha se një vendim do të merret “brenda javësh, jo muajsh”.
Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, ka thënë më 7 prill se qeveria ishte e përgatitur të propozonte shpejt anëtarësimin në NATO nëse kishte mbështetje të mjaftueshme nga Parlamenti.
Në qershor, NATO-ja pritet të mbajë një samit në Madrid.
Qeveria e Suedisë po rishikon, gjithashtu, politikën e gjerë të sigurisë me një raport që pritet të publikohet para fundit të majit. Kryeministrja Magdalena Andersson ka thënë se dëshiron të presë rezultatin e rishikimit para se të marrë ndonjë vendim.
Socialdemokratët në pushtet po zhvillojnë një debat të brendshëm nëse do të heqin dorë nga kundërshtimi i tyre ndaj NATO-s dhe pritet të nxjerrin një raport para verës.
Suedia mban zgjedhje të përgjithshme në shtator me anëtarësimin në NATO si fokusin kryesor. Një mandat i qartë nga votuesit do ta bënte aplikimin më të lehtë për një qeveri.
Megjithatë, një vendim i Finlandës për të aplikuar e para, do të shihej si një presion mbi Stokholmin për ta ndjekur si shembull.