Finlanda do t’i dërgojë në Ukrainë tri tanke ‘Leopard 2’
Finlanda do t’i dërgojë në Ukrainë tri tanke luftarake “Leopard 2”, ka thënë të enjten Ministria finlandeze e Mbrojtjes.
Muajin e kaluar, Gjermania ka pranuar të dërgojë tanket “Leopard 2” në Ukrainë, pas një presioni të madh të ushtruar nga Kievi dhe NATO. Dërgimi i këtyre tankeve u ka dhënë dritën e gjelbër edhe shteteve tjera anëtare të NATO-s, për të dërguar gjithashtu tanke të prodhimit gjerman si ndihmë ushtarake në Ukrainë.
Vlera e paketës më të re të ndihmës mbrojtëse të Finlandës për Ukrainën do të arrijë në 160 milionë euro, duke përfshirë tre Leopardët dhe trajnimin e ushtarëve ukrainas në lidhje me përdorimin e tyre, ka thënë ministria.
Në janar, Finlanda ka premtuar miliona dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën, por jo tanke ushtarake.
Finlanda, e cila ndan një kufi 1 300 km me Rusinë, ka pak më pak se 200 tanke “Leopard 2”.
Tanku “Leopard 2” konsiderohet si një nga më të mirët në vendet perëndimore dhe rreth 20 vende aktualisht përdorin këtë tank.
Ukraina ka kërkuar 300 tanke të tilla dhe ka thënë se Perëndimi deri më tani ka premtuar se do t’ia dërgojë të paktën 120.
Rusia, që ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 202, ka më shumë tanke sesa Ukraina, por modelet që Moska ka janë shumë inferiore krahasuar me tanket perëndimore.