Finlanda e Suedia aplikojnë zyrtarisht për anëtarësim në NATO
Finlanda dhe Suedia zyrtarisht kanë aplikuar që të anëtarësohen në aleancën e NATO-s. Përfaqësuesit e dy shteteve kanë dorëzuar aplikimet në selinë e aleancës në Bruksel.
Vendimi i dy shteteve nordike, që kanë qenë neutrale, u nxit pas shqetësimeve të sigurisë për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.
“Unë mirëpres ngrohtësisht kërkesat e Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ju jeni partnerë të ngushtë”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pasi mori aplikimet zyrtare për anëtarësim nga ambasadorët e dy shteteve nordike.
Stoltenberg e cilësoi këtë lëvizje si “ditë historike”.
Procesi i pranimit pritet të zgjasë dy javë, ndërkaq ratifikimi në parlamentet e 30 shteteve anëtare deri në një vit, kanë thënë diplomatët.