Finlanda ofron përkrahje për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall.
Në njoftimin e qeverisë, thuhet se gjatë takimit u diskutua mbi gjendjen aktuale në menaxhimin dhe parandalimin e pandemisë me Covid-19 si dhe masat që po i ndërmerr qeveria me qëllim rimëkëmbjen e ekonomisë në vend, dialogun Kosovë-Serbi, që nënkupton njohjen reciproke mes dy vendeve, forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit dhe procese të tjera të rëndësishme për shtetin e Kosovës.
Ndër tjera, kryeministri Hoti ka thënë se Finlanda në vazhdimësi e ka ndihmuar Kosovën në programe të caktuara që kanë pasur rëndësi të veçantë për jetën e qytetarëve dhe për këtë u jemi shumë mirënjohës, duke shtuar se marrëdhëniet e Kosovës me Finlandën kanë qenë gjithmonë miqësore.
Ndërkaq ambasadorja Pia Stjernvall ka shprehur gatishmërinë e Finlandës për t’i ofruar ndihmë shtetit të Kosovës në ngritjen dhe përgatitjen e kapaciteteve për arritjen e objektivave të saj.
(Q.R / Epoka e re)