Finlanda pezullon vaksinën “Moderna” për të rinjtë
Finlanda ka pezulluar përdorimin e vaksinës “Moderna”, kundër Covid-19 për meshkujt e rinj, për shkak të problemeve kardiovaskulare, sipas një njoftimi nga Instituti i Shëndetit dhe Mirëqenies së vendit.
Mika Salminen, drejtoreshë e Institutit Shëndetësor, tha se Finlanda në vend të “Moderna” do të japë vaksinën e “Pfizer” për burrat e lindur pas vitit 1991.
“Një studim nordik që përfshin Finlandën, Suedinë, Norvegjinë dhe Danimarkën zbuloi se burrat nën moshën 30 vjeç që morën Moderna Spikevax kishin një rrezik pak më të lartë se të tjerët për të zhvilluar miokardit,” tha ajo.
Zyrtarët shëndetësorë suedezë dhe danezë njoftuan të mërkurënse do të ndërpresin përdorimin e vaksinës Moderna për të gjithë të rinjtë dhe fëmijët, duke cituar të njëjtin studim të pabotuar.
Instituti finlandez tha se studimi nordik do të botohej brenda disa javësh dhe të dhënat paraprake i ishin dërguar Agjencisë Evropiane të Barnave (EMA) për vlerësim të mëtejshëm.
Rregullatorët në Shtetet e Bashkuara, BE dhe Organizata Botërore e Shëndetit kanë theksuar se përfitimet e injeksioneve të bazuara në teknologjinë mRNA të përdorura nga Moderna dhe Pfizer-BioNTech në parandalimin e COVID-19 vazhdojnë të jenë më të shumta e sa rreziqet e efekteve anësore.
Një zëdhënës i Moderna ka deklaruar se ishte në dijeni të vendimeve të rregullatorëve suedezë dhe danezë.
“Këto janë zakonisht raste të lehta dhe individët priren të shërohen brenda një kohe të shkurtër pas trajtimit. Rreziku i miokarditit është rritur ndjeshëm për ata që kontraktojnë COVID-19, dhe vaksinimi është mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga kjo.”, ka deklaruar zëdhënësi.