Firmat në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore po investojnë pavarësisht prej përkeqësimit të kushteve
Sipas rezultateve të Anketës së Investimeve në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore (EQLJ), të kryer nga Banka Evropiane e Investimeve, në tremujorin e dytë të vitit 2022 kompanitë në këto vende deklaruan se kushtet e financimit ishin përkeqësuar në mënyrë drastike, edhe më shumë se mesatarja e BE-së.
Ato prisnin që kushtet e biznesit në sektorët e tyre të vazhdonin të përkeqësoheshin së bashku me klimën e përgjithshme ekonomike dhe politike. E, megjithatë, në bilanc firmat në EQLJ kanë planifikuar të investojnë më shumë gjatë vitit 2022 sesa bënë në vitin 2021.
Një burim nxitës për këtë ka qenë pandemia, e cila i shtyu firmat të bëhen më digjitale, të zhvillojnë produkte të reja dhe t’i shkurtojnë zinxhirët e tyre të furnizimit. Përdorimi i teknologjive të avancuara digjitale është përhapur (interneti i sendeve, kompanitë e mëdha të të dhënave, inteligjenca artificiale, printimi 3-D etj.): 67 për qind e kompanive të EQLJ-së raportojnë se përdorin të paktën një teknologji të avancuar digjitale, duke ngushtuar hendekun me ShBA-në (71 për qind) në përputhje me tendencën e përgjithshme të BE-së (69 për qind).
Në përgjigje të presionit për t’u përshtatur dhe për novatorizëm, një pjesë më e madhe e firmave në EQLJ synojnë t’i japin përparësi novatorizmit gjatë tre vjetëve të ardhshme sesa në Bashkimin Evropian në tërësi (27 për qind kundrejt 24 për qind) apo në ShBA (21 për qind).
Zëvendëspresidentja e BEI-t, Lilyana Pavlova, ka thënë se kjo anketë ekonomike vë në dukje se ndikimi i krizës aktuale të energjisë është edhe më i theksuar në EQLJ sesa në pjesët e tjera të Bashkimit Evropian. “Një përgjigje e rinovueshme dhe e qëndrueshme është mënyra më e mirë për ta mbështetur sigurinë energjetike të Evropës. Për ta përshpejtuar tranzicionin e gjelbër dhe për ta reduktuar varësinë e rajonit nga lëndët djegëse fosile, BEI planifikon ta nxisë financimin e energjisë së pastër dhe të mobilizojë deri në 115 miliardë euro investime për efikasitetin, burimet e rinovueshme, rrjetet, infrastrukturën e karikimit dhe ruajtjen e energjisë”, ka thënë Pavlova.
Debora Revoltella, shefe e Departamentit të Ekonomisë e BEI-t, ka theksuar se goditjet e përsëritura në tre vjetët e fundit kanë sjellë sfida të shumta për kompanitë në të gjithë EQLJ-në dhe pjesën tjetër të Evropës.
“Firmat në EQLJ po ndërmarrin masa: Ato po i japin përparësi novatorizimit (më shumë se mesatarja e BE-së), duke mbetur të orientuara drejt eksportit dhe duke përqafuar teknologjitë e avancuara digjitale (në përputhje me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës). Megjithatë, më pak firma në EQLJ investojnë në asete jomateriale (kërkim-zhvillim, programe kompjuterike dhe trajnim) sesa në Bashkimin Evropian në tërësi. Pasiguria dhe aftësitë, së bashku me kostot e energjisë, janë barrierat më të rëndësishme afatgjata për investimet”, ka deklaruar Revoltella.
Më shumë investime në novatorizmin dhe trajtimin e ndryshimeve klimatike
Rreth gjysma e bizneseve raportuan se ndryshimet klimatike ndikojnë në aktivitetet e tyre, me një në dhjetë që raporton “ndikim të madh”. Megjithatë, vetëm një e treta e tyre kishte përmirësuar qëndrueshmërinë ndaj rreziqeve fizike që lidhen me ndryshimet klimatike gjatë vitit të kaluar financiar. Firmat në Rumani (49 për qind) dhe Estoni (40 për qind) kishin më shumë gjasa ta kishin përmirësuar rimëkëmbjen e tyre, ndërsa ato në Hungari kishin më pak gjasa (21 për qind). Shumica e firmave po ndërmarrin veprime për t’i reduktuar emetimet e tyre të gazeve të efektit serrë, veçanërisht në Rumani (93 për qind) dhe Poloni (90 për qind), por më pak në Bullgari (70 për qind).
Ndryshe nga Bashkimi Evropian në përgjithësi, firmat në EQLJ janë më të prira ta perceptojnë kalimin në standarde më të rrepta klimatike si një rrezik dhe jo si një mundësi. Sektori i infrastrukturës në veçanti e sheh si rrezik kalimin në një ekonomi me emetime neto zero gjatë pesë vjetëve të ardhshme (41 për qind). Në nivel kompanie e njëjta gjë vlen për firmat lituaneze (43 për qind); kompanitë në Rumani, nga ana tjetër kanë më shumë gjasa ta shohin ekonominë e gjelbër si një mundësi.
Në të njëjtën kohë, Lituania ka pjesën më të lartë të firmave që kanë investuar tashmë dhe që planifikojnë të investojnë në përballjen me ndryshimet klimatike gjatë tre vjetëve të ardhshme, e ndjekur nga Rumania dhe Sllovenia.
Tregtia ndërkombëtare
Firmat e EQLJ-së mbetën jashtëzakonisht të orientuara drejt eksportit dhe të hapura ndaj tregtisë ndërkombëtare, por u përballën me pengesa të ndryshme tregtare. Shumica e firmave në sektorin e prodhimit (94 për qind) dhe e firmave të mëdha (79 për qind) raportuan se ishin të angazhuara në tregtinë ndërkombëtare, veçanërisht Sllovenia dhe Sllovakia.
Katër nga pesë firmat në EQLJ patën pengesa në tregtinë e tyre ndërkombëtare që nga viti 2021 dhe pothuajse gjysma deklaruan se lufta Rusi – Ukrainë dhe Covid-19 penguan biznesin e tyre.
Ndërhyrja e këtyre firmave me masa për t’i zbutur pengesat ishte më e lartë se mesatarja e BE-së (45 për qind kundrejt 37 për qind për të gjithë BE-në).
Në veçanti, për t’i diversifikuar rreziqet, 63 për qind e kompanive të EQLJ-së raportuan se kishin rritur numrin e partnerëve tregtarë dhe veçanërisht ato në Rumani (86 për qind).