Firmoset marrëveshja për autostradën Shkup-Bllacë
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka firmosur marrëveshjen me një firmë ndërtimore për nisjen e punimeve për dy kilometrat e parë të autostradës Shkup-Bllacë, e cila do të lidhë Maqedoninë e Veriut me Kosovën, përmes autostradës “Arbën Xhaferi”.
Punimet pritet të nisin në pranverë, ndërsa deri atëherë pritet të përfundojë edhe procesi i shpronësimit të 68 parcelave të tokës, në pronësi të banorëve të Bllacës.
Autostrada do të jetë në gjatësi prej 12 kilometrash, me një kosto prej 120 milionë eurosh.
Dy kilometrat do të financohen nga buxheti i shtetit të Maqedonisë së Veriut, ndërsa pjesët tjera me kredi të Bankës Botërore dhe nga fondi i Ballkanit Perëndimor.
Gjatësia totale e autostradës do të jetë 12.5 kilometra dhe pritet të vihet në shfrytëzim në vitin 2021. “Projekt i një rëndësie të veçantë strategjike për vendin dhe gjithë rajonin. Unë besoj se shumë shpejt Prishtinën dhe Shkupin do ta lidhim me një autostradë moderne, e cila do të kalohet për më pak se 45 minuta. Këto dy kryeqytete do të bëhen më të afërtat në rajon, duke ofruar një mundësi për lidhshmëri të njerëzve, mallrave dhe një klimë të re të bashkëpunimit mes shteteve dhe popujve”, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, koordinator i projektit.
Ndërtimi i kësaj autostrade është premtuar që para 16 vjetësh, por për shkak të mungesës së gatishmërisë politike, para së gjithash nga pala maqedonase, ai është zvarritur – gjë që shpeshherë ka çuar edhe në përplasje mes partive politike.
/Epoka e re/