“First Republic”, banka e tretë amerikane me telashe financiare
Kompania financiare JP Morgan Chase do ta marrë përsipër bankën me probleme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “First Republic”, nëpërmjet një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga rregullatorët, raportoi BBC-ja të hënën.
Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave e konfirmoi rënien financiare të bankës, derisa tha se gjiganti i investimeve do t’i marrë të gjitha depozitat dhe shumicën e aktiviteteve. “First Republic” është banka e tretë amerikane që ka rënë në muajt e fundit, duke shkaktuar frikë për një krizë më të gjerë bankare.
Aksionet e huadhënësit me bazë në San Francisco ranë me më shumë se 75 për qind javën e kaluar, pasi pranoi se klientët i kishin tërhequr 100 miliardë dollarë të depozituara në mars.
Ky rast pason pas kolapsimit të Silicon Valley Bank në mars dhe rënies së huadhënësit amerikan, “Signature Bank”.