Fishkëllimat e tifozëve në ndeshjen Kosovë-Izrael, UEFA hap procedurë
Kombëtarja e Izraelit ka luajtur të dielën ndeshjen e saj të parë që nga fillimi i luftës duke humbur 1-0 kundër Kosovës në një ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian.
Gjatë himnit kombëtar të Izraelit para ndeshjes, disa tifozë të pranishëm në Kosovë u shfaqën duke bërtitur dhe fishkëllyer, sipas videove që qarkullonin në mediat sociale.
Në lidhje me këtë UEFA, i tha CNN në një deklaratë se “janë hapur procedurat për ‘trazira’ gjatë himneve kombëtare”.
“Organi i Kontrollit, Etikës dhe Disiplinës i UEFA-s do të merret me këtë rast në kohën e duhur”, thuhet në deklaratë, transmeton Klankosova.tv.
CNN ka kontaktuar Federatën e Futbollit të Izraelit për koment.
Ndeshja fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej më 15 tetor, por u shty pas shpërthimit të luftës.
Kosova pas fitores bëri 10 pikë në renditjen e Grupit I, një pikë prapa Izraelit në vendin e tretë.
Dy skuadrat më të mira, aktualisht Rumania dhe Zvicra, do të kualifikohen automatikisht në Kampionatin Evropian të vitit të ardhshëm në Gjermani.