Fisnik Gashi largohet nga FC Besa Peja, vjen Megzon Visoka
Janë bërë ndryshime në shtabin teknik në skuadrën e Besa Peja. Finik Gashi është larguar nga detyra e trajnerit, kurse në vend të tij është emëruar Megzon Visoka.
Klubi pejan e ka falënderuar Gashin, i cili kontribuoi shumë që futbolli të rikthehet në qytetin e Pejës.
“Klubi ynë dëshiron të falënderojë nga zemra trajnerin Fisnik Gashi për punën dhe angazhimin e tij të jashtëzakonshëm në rikthimin e futbollit në Pejë. Fisi ishte një ndër të parët që besoi në projektin tonë dhe u bë pjesë e këtij rrugëtimi të madh. Puna dhe përkushtimi i tij kanë lënë një gjurmë të pashlyeshme në klubin tonë dhe në zemrat e tifozëve. Për këtë, ne i jemi përjetësisht mirënjohës dhe i urojmë suksese të mëtejshme në karrierë. Kjo është shtëpia jonë dhe kështu do të jetë gjithmonë – të gjithë bashkë për të ndërtuar një të ardhme edhe më të ndritur!”, thuhet në njoftimin e FC Besa Peja.
Klubi pejan beson se ardhmja e trajnerit Megzon Visoka do të sjellë energji të re në klubin e Besa Peja. “Pas përvojave të suksesshme si trajner i dëshmuar në klube si Vllaznimi, Drenica, Flamurtari dhe Ferizaj, tash është koha që ai t’i bashkohet klubit tonë. Në një qytet ku tradita dhe ngjyrat e verdhë e zi janë pjesë e identitetit, FC Besa Peja mirëpret Megzon Visokën si pjesë të familjes sonë. Me vizionin e tij të qartë dhe përkushtimin ndaj futbollit, ne besojmë se do të sjellë energji të reja në këtë qytet që jeton dhe frymon për futbollin. Mirë se vjen në familjen tonë të madhe, Megzon.100 herë Besa, Besë!”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e kubit nga Rrafshi i Dukagjinit.
/Epoka e re/