Fisnik Halimi: KQZ-ja i plotëson me automatizëm vendet e zbrazëta
Numri 1 i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka mbetur jashtë garës së 14 shkurtit pas vendimit të Gjykatës Supreme.
Derisa shumë është debatuar nëse vendi i Albin Kurtit në listën garuese do të mbetet i zbrazët ose jo, drejtori i Institutit PIPOS, Fisnik Halimi, ka thënë se numri 1 asnjëherë nuk mbetet i zbrazët.
Halimi, në Rubikon të Klan Kosovës, ka deklaruar se KQZ-ja me automatizëm e zhvendos emrin e kandidatit në numrin 2 në numër 1 dhe gjithë radhitja e kandidatëve zhvendoset për nga një numër.
“Numri 1 nuk mbetet i zbrazët në rastin e Vetëvendosjes, sepse KQZ-ja e plotëson me automatizëm dhe nuk mundesh me zgjedh. Këto nuk janë numra të futbollistëve. Numri 2 bëhet 1 dhe vazhdon kështu lista”.
Sipas kësaj çfarë ka deklaruar Halimi i bie që listës së Lëvizjes Vetëvendosje do t’i prijë Vjosa Osmani e cila bashkë me iniciativën e saj qytetare është pjesë e listës së Vetëvendosjes.
Nëse do të ndodhë kështu ose jo do të sqarohet nesër në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.