“FIT merr pagë 74 euro më pak me ligjin e ri”
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-drejtori i Policisë, Rashit Qalaj, tha se me Ligjin e ri për Paga, shumica e njësive policore janë dëmtuar me pagë.
Qalaj tha se Njësiti i Parë Intervenues (FIT) i Policisë së Kosovës me këtë ligj merr 74 euro më pak pagë neto, derisa shtoi se edhe policët e rinj, kadetët dhe shumë njësi të tjera, kanë zbritje të pagës me këtë ligj.
Qalaj tha se ka ngritje të pagës në disa kategori por të cilat, sipas tij, janë në numër shumë të vogël.
“Policët janë dëmtuar me Ligjin e ri të Pagave sepse marrin paga më pak. Është e vërtetë ngritja për disa kategori të vogla por edhe për ta 18 euro 20 euro nuk kanë ngritje më të madhe të pagës. Ndërsa Njësiti i Parë Intervenues që ndryshe quhet FIT i ka 74 euro më pak neto që është dëmtuar dhe mendoj që vendimi i ri për shtesat për rrezikshmëri e ka dëmtuar edhe më shumë Policinë e Kosovës sepse të gjithë kanë zbritje të shtesave për rrezikshmëri, policët e rinj, kadetët, të gjithë”, tha Qalaj në Tëvë1.
I pyetur nëse policët e NJSI-së që protestuan për dy herë rresht para Qeverisë së Kosovës kishin të drejtë, Qalaj tha se po i kërkojnë kushtet elementare.
“Është një skenë që askush nga ne nuk do të kishim pas dëshirë ta shohim. Nuk jemi mësuar që t’i shohim policët që të dalin në rrugë të protestojnë, aq më tepër kur ata kanë kërkesa që kanë të bëjnë me pajisjet e tyre, me pagën e tyre, me shtesat të rrezikshmërisë dhe kërkesa tjera që janë legjitime dhe të duhura të Policisë së Kosovës dhe në anën tjetër kemi një barrikadim të Qeverisë së paku nga një postim që ka bërë ministri i Brendshëm që është e papranueshme. E mira do të ishte që të uleshin të gjejnë një zgjidhje të mirë për PK të gjitha njësitet sepse këtu nuk është vetëm një njësi por të gjitha”, tha Qalaj.