Fitim Selimi, i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale
Doktori nga Lipjani, Fitim Selimi është ftuar nga Gjykata Speciale për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.
Lajmin e ka bërë me dije Selimi nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook”.
“Sot mora ftesë nga zyra e Prokurorit Special, për tu paraqitur në këtë organ në cilësinë e të dyshuarit për veprimtarinë time në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Selimi.
Postimi i plotë i Selimit:
Të dashur miq, bashkëluftëtarë dhe qytetarë të vendit tim!
Sot mora ftesë nga zyra e Prokurorit Special, për tu paraqitur në këtë organ në cilësinë e të dyshuarit për veprimtarinë time në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndonëse përherë e gjallë, sot më fuqishëm më është rikthyer ndjenja e krenarisë për këtë periudhë më të ndritshme të jetës time.
Fare mos të dyshojë askush dhe i siguroj unë të gjithë ata që duan të dijnë, që në rrethanat e mospërmbushjes dhe mosrealizimit të popullit e vendit tim me të drejta e liri, me kushtrimin për luftën për çlirim, angazhimi dhe veprimi im me shokët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte kulmi i realizimit të identitetit tim përsonal, familjar e kombëtar dhe veprimi im më i ndergjegjshëm të cilit nuk do t’ i ndryshoja asnjehërë asnjë moment dhe asnje detal.
Me besim e bindje të plotë në triumfin e së vërtetës së lavdishme për luftën tonë të drejtë.
/Epoka e re/