Fitim Selimi synon postin e kryetarit të PDK-së në Lipjan

24 mars 2019 | 15:47

Ish-nënkryetari Komunës së Lipjanit, Fitim Selimi, ka vendosur t’i hyjë garës për kryetar të Degës së PDK-së në Lipjan.

Ai nëpërmjet një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka treguar arsyet se pse ka vendosur të garojë për kryetar të PDK-së në Lipjan.

“Unë nga cilësia e njërit nga themeluesit të PDK-së në nivelin e saj qendror dhe themelues i degës së saj ne Lipjan, e kam gatishmërinë t’i qasem këtij angazhimi dhe bashkë me njerëzit e rinj e të shkolluar të komunës sonë ta rikthejmë dhe fuqishëm ta theksojmë dëshminë për të mundshmen. Të argumentojmë me punën tonë që është e mundur të punohet drejtë dhe me qasje të barabartë ndaj çdo qytetari të këtij vendi. Unë këtë mund ta bëjë me përkrahjen tuaj, të nderuar përkrahës dhe ndërtues të PDK-së , dhe qytetarë të Lipjanit, nëpërmjet mbështetjes tuaj në marrjen e obligimit e përgjegjësisë prej udhëheqësi të Partisë Demokratike në kuadër të organizimit të saj në komunën tonë”, ka shkruar Selimi.

Para se të rikthehet në PDK, Selimi ka qenë pjesë e Nismës Socialdemokrate dhe AAK-së

Postimi i plotë i Selimit:

Te nderuar miq,
Të nderuar anëtarë e simpatizues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK),
Të nderuar qytetarë të Lipjanit,

Zakonisht nuk parapëlqej shpjegime për hapat e mi e të shokëve të mi bashkëveprimtarë, në çështjet njerëzore, profesionale e kombëtare, ngase për cilindo që është i interesuar, është e qartë çdo situatë, motivim e veprim kontribuues në të mirë të zhvillimeve te ne. Rrallë krijohet ndonjë rrethane si kjo e tanishme, në organizimet tona politike e institucionale lokale e cila do të kërkonte njëherësh edhe përmbushje në aspektin sqarues për opinionin.

Jam i bindur që si në aspektin e organizimeve politike, po ashtu edhe në ato institucionale shtetërore, zhvillimet te ne nuk kanë qenë aq të lakmueshme sa për të krijuar komoditet për cilindo aktivist e qytetar. Asnjë njeri që sadopak i ka dhënë dhe që frymon dhe sot me ecjen tonë, nuk ka përjetuar rahatinë ne veprim dhe as duke përcjellë zhvillimet te ne, e të mos ketë pasur nxitjen e arsyeshme të cilësdo forme të kundërshtimit të rrjedhave jo të pëlqyeshme. Personalisht asnjëherë nuk jam pajtuar me shmangiet në ecje nga linja e përcaktimeve të pastra që i kemi vënë vetes në periudha të ndryshme të organizimeve tona kombëtare.

Kisha në vazhdimësi përpjekjen ta investoja veten në projekte që do të na bënin të ndiheshim dhe të ishim mirë dhe për këtë e në këtë qasje nuk do të ndërroja asgjë fare. Kam pasur dhe vazhdoj të kem bashkëmendimtarë që ndërtimi i se ardhmes sonë mund të bëhet vetëm nëpërmjet angazhimit tonë të sinqertë e parimor.

Nevoja për angazhimi te ne në organizma politik, nuk do të thotë të merresh thjeshtë me politikë, por është thirrje për tu marrë me çështjet jetësore të këtij vendi, është thirrje për shpëtim të vlerave tona.

Nuk ka mekanizëm i cilësdo natyre që do të veprojë e të pasqyrohej me shkëlqimin e vet real si vlerë, pa trajtimin e përkujdesjen e dorës institucionale. E kjo dorë, kjo përkujdesje merr frymë, bekim e jetë apo edhe ngulfatet në varësi nga të kuptuarit drejtë të kësaj thirrjeje.

Kosova si produkt i sakrificës nëpër shumë gjenerata, si krijesë e njomë dhe e lëndueshme, më shumë se kurrë, sot ka nevojë për mbështetje, për përfaqësim e mbrojtje të vlerës së saj.
Për secilin që dashurinë e vërtetë ndaj vendit të vet, e përjeton njëherësh si obligim për përkujdesje, është thirrje për të ndërtuar në themel, për tu bërë pjesë e politikës që krijon pushtetin me obligimin e shenjtë për ta bërë shtetin.

Mbyllja në kështjellat profesionale e profesionistëve është indiferencë që në rrethanën tonë më shumë është faj, ngase mosangazhimi i saj në pararojën e trajtimeve institucionale politike, krijon zbrastësirën që asnjëherë nuk mbetet e tillë, por mbushet shpejtë nga injoranca. Por, asnjëherë nuk mund të jetë më i fuqishëm e më veprues mendimi e veprimi destruktiv karshi atij të ndërgjegjshëm profesional. Forca e argumenti në avokimin e vlerës sonë, është mundësi së cilës asnjë injorancë nuk mund ti rezistojë; ajo është fituese përherë.

Profesionistet e të diturit e posedojnë këtë armë e vegël në duart e tyre ndërtuese andaj nëse ata janë në misionin e tyre, përherë do të jenë fitues.
Të kuptuarit drejtë i kësaj gjendjeje dhe thirrjeje më ka mbajtur të mbërthyer në këtë përkushtim edhe nga ndjenja për ta ruajtur të pacenuar dhe për ta përparuar thirrjen dhe misionin tim profesional. Kjo natyrisht asnjëherë nuk me ka sjellë dobi personale mua as edhe bashkëmendimtarëve të mi.

Përkundrazi, kam përjetuar ndrydhje e privim edhe nga mundësitë me të cilat do të më pajiste cilado meritokraci. Në cilëndo rrethanë e të qenit pjesë e angazhimeve politike e institucionale në asnjë rast nuk isha palë apo pjesë e çfarëdo mekanizmi që do të me devijonte nga përcaktimet e mia me bazament në të kaluarën e të sotmen e ndershme të familjes, shokëve dhe mësueseve të mi.

Ne nuk kemi zgjedhje tjetër përveç vazhdimit të marrjes së obligimeve dhe përgjegjësive ndaj popullit dhe vendit. A duhet dhe a mund të lindet mbinjeriu i cili do të bënte atë që është brenda mundësive tona reale për të realizuar atë që të gjithë e duam!? Jo s’ka nevojë fare!

Njerëzit e realitetit tonë, para së gjithash të shkolluarit, të diturit, të rinj dhe intelektualë me gatishmërinë e tyre për te marrë pak rol, do të bëjnë që rrjedhat në shoqërinë tonë të ndryshohen, përmbajtja dhe veprimi ynë ti rikthehen esencës së asaj që duam ne për veten tonë.
A të eksperimentojmë pakufi duke kërkuar qelës ne krijimin e shoqërive të reja politike në të cilat do të riciklohet mentaliteti ynë? Jo s’ka nevojë fare!

Organizimet tona politike në përbërjen e tyre kanë njerëzit me ndërtim të përafërt psikologjik, sociokulturor, emocional e profesional. Njeriut tonë i duhet shkolla politike dhe ekspertiza profesionale e cila do të ofronte zgjidhje për te gjitha problemet që shoqërinë tonë e preokupojnë.

Shumica e subjekteve nuk ka zhvilluar fare, apo kanë zhvilluar shkollë të gabuar politike gjë që në të shumtën e rasteve kanë mbetur qëllimisht peng i liderëve të tyre pa vizion, duke mos ju bërë ballë kërkesave të kohës dhe realiteteve të reja të krijuara.

Për të krijuar shkollë në funksion të ecjes së shoqërisë domosdoshmërisht duhet evituar mburojën liderit joproduktiv, pas së cilit mbeten peng dhe mëshohen grupime të caktuara të shoqërisë që nga nivelet lokale deri në ato qendrore. Në këtë formë krijohet identiteti i cili poqëse do të ketë atraktivitet, do të këtë pasuesit dhe ndërtuesit e vetë të cilët do të shmangen nga mendësia frenuese e vlerës, apo ajo afirmuese e jovlerës.

Gjasën, materien, bazamentin dhe guximin për të synuar një zhvillim të tillë aktualisht e ka vetëm Partia Demokratike e Kosovës. Pikërisht në kuadër të saj veprojnë një numër i madh i aktivistëve kombëtar të zotë për të bërë ecje dhe zhvillim të tillë. Njerëzit që ndërtojnë strukturën e PDK-së janë ata që në të gjitha periudhat e angazhimeve për liri, patën forcën dhe gatishmërinë ti lëvizin proceset , nëpërmjet ndërmarrjeve të jashtëzakonshme deri te ajo më e rëndësishmja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Lufta për çlirim definitiv nga okupimi serb.

Prijësi që ka marrë obligimin për ta bërë e ribërë PDK-në, duke e ruajtur atë në esencën burimore të saj, një ushtar i guximshëm e një krijues e ndërtues i përkushtuar i lirisë dhe vendit, udhëheqësi i saj Kadri Veseli, me angazhimin e tij reformues meriton përkrahjen për realizimin e këtij projekti.

Unë nga cilësia e njërit nga themeluesit të PDK-së në nivelin e saj qendror dhe themelues i degës së saj ne Lipjan, e kam gatishmërinë t’i qasem këtij angazhimi dhe bashkë me njerëzit e rinj e të shkolluar të komunës sonë ta rikthejmë dhe fuqishëm ta theksojmë dëshminë për të mundshmen. Të argumentojmë me punën tonë që është e mundur të punohet drejtë dhe me qasje të barabartë ndaj çdo qytetari të këtij vendi.

Unë këtë mund ta bëjë me përkrahjen tuaj, të nderuar përkrahës dhe ndërtues të PDK-së , dhe qytetarë të Lipjanit, nëpërmjet mbështetjes tuaj në marrjen e obligimit e përgjegjësisë prej udhëheqësi të Partisë Demokratike në kuadër të organizimit të saj në komunën tonë.

Jam i sigurt që kështu do të rikthejmë besimin e luhatur të qytetarëve te njeriu ynë dhe shpresën e venitur për një të ardhme çfarë e duam të gjithë. Me ne i fuqishëm do të mbetet motivi për punë e jetë në Kosovë e në Lipjan!

Me shumë dashuri e sinqeritet!
Fitim Selimi

/Epoka e re/

https://www.facebook.com/photo.php?fbid=10156578439224160&set=a.10150500774424160&type=3&theater

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kampioni aktual, Besa Famgas ka fituar thellë ndaj Dritës në…