Fitimi i ‘Z-Mobile’-s nga kontrata me PTK-në është mbi 5 milionë euro
Pronari i operatorit virtual për telefoni mobile Dardafon.net L.L.C e njohur si “Z-Mobile”, Blerim Devolli, gjatë intervistimit në Komisionin Parlamentar për hetimin në gjendjen në Telekom, ka bërë me dije se më shumë se 200 kërkesa ia kanë dërguar Telekomit që t’i përmbahet kontratës, para se ta çonim në Arbitrazh.
Ai ka treguar se për dy vjet e kanë pritur Telekomin para se ta çonin në Arbitrazh.
Devolli ka thënë se vetëm pesë herë Telekomi i është përgjigjur kërkesave të tyre.
Ai ka theksuar se në kompaninë e tij kanë investuar 7-8 milionë euro.
I pyetur nga kryesuesi i këtij komisioni Visar Ymeri për të hyrat financiare, Blerim Devolli ka thënë se i gjithë fitimi i kompanisë “Z-Mobile” nga kontrata me PTK-në është mbi 5 milionë euro.
“Për dhjetë vjet 5 milionë e 600 mijë euro. Të hyrat kanë qenë 60 milionë e 437 mijë euro”, ka thënë Devolli.
Devolli gjatë intervistimit ka mohuar se ka pasur për qëllim që përmes kësaj kontrate ta dëmtojë Telekomin.