Fitojnë Arsenali, Benfica, Chelsea dhe Valencia
Arsenal ka bërë një hapë të rëndësishëm drejt gjysmëfinales me fitoren 2-0 ndaj Napolit në Emirates. Topçinjtë kanë dominuar çerekfinalen e parë ndaj italianëve dhe sidomos në pjesën e parë kanë bërë një lojë të përsosur.
Ishin dy gabime në mbrojtje të miqve që kanë lejuar Arsenal të shënojë golin e Aaron Ramsey dhe autogolin e Kalidoi Koulibaly. Vendasit mbetën në kontroll të ndeshjes dhe mund të kishin shënuar më shumë, por kanë shpërdoruar disa mundësi shumë të mira.
Napoli u përpoq të reagonte në pjesën e dytë, por nuk është afruar golit dhe duhet të bëjë një lojë të përsosur për ta përmbysur ndaj Arsenal në ndeshjen e kthimit.
Ndërkohë Chelsea ka vuajtur për të gjetur golin e avantazhit, por ia ka dalë në minutën e 86’ të takimit me Marcos Alonson duke fituar 1-0 ndaj Slavia Prague. Sarri kishte bërë shumë ndryshime në prag të ndeshjes me Liverpool në fundjavë, nuk luanin lojtarë si Hazard dhe Higuain. Gjithsesi, The Blues ishin ata që kontrolluan ndeshjen dhe në fund shënuan një gol të merituar.
Benfica, e ndihmuar nga një karton i Frankfurt që në minutat e para të takimit, ka fituar 4-2 ndeshjen e parë në shtëpi. Ka shkëlqyer talenti Joao Felix me tripletën e parë në karrierën e tij.
Valencia ka mposhtur 3-1 Villarreal në fushën e këtyre të fundit duke bërë një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinales.